E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PD, parti e premtimeve të mbajtura”

03-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha në Fushë-Krujë


Nga Fushë Kruja Kryeministri Sali Berisha ka ftuar të gjithë shqiptarët që më 23 qershor të përdorin votën e tyre për alternativën e punësimit. Ai u shpreh i sigurt në fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhje, jo vetëm për ato që ka realizuar në këto vite por për ato që do të realizojë në 4 vitet e ardhshme. Duke kërkuar votën 4 vitet e ardhshme kryeministri garantoi hapjen e 250 mijë vendeve të punës, ndërtimin e projekteve historike , teknologjinë më moderne dhe rritjen e cilësisë në arsim. “Ne kërkojmë votën për gjithçka që do bëjmë 4 vitet që vijnë. Katër vitet që vijnë do garantojmë 250 mijë vende pune. Kemi të garantuara së paku 6 miliardë euro investime. 4 vitet që vijnë janë projekte historike të shekullit për Shqipërinë, ndërtimi i Kaskadës së Devollit, projekti TAP dhe ndërtimi i dhjetëra HEC-eve të tjera. Katër vitet që vijnë do jetë Shqipëria e 4 g e teknologjisë më të lartë dhe shërbimeve më moderne. Me votën tuaj duam të rrisim cilësinë në arsim ta përshtatim me tregun, të bëjmë që Shqipëria të ecë e sigurt dhe të zhvillohet në rrugën e dijes”, premtoi kryeministri. Duke përmendur arritjet e Shqipërisë në një hark kohor prej 6 vitesh falë reformave të qeverisë së tij, Berisha akuzoi Ramën për bllokimin e tre ligjeve të integrimit, me të cilat Shqipëria humbi miliona euro investime. “Komisioni Evropian tetorin që kaloi rekomandoi Shqipërinë për vend anëtar të BE-së me kusht që të votohen 3 ligjet, të cilat u bllokuan nga personi, i cili ka vetëm interesa personale. Me bllokimin e ligjeve Shqipëria humbi qindra milion euro investime. Emigrantët shqiptarë mbeten pa marrë të drejtën e pensionit që u takon. Të rejat e të rinjtë nuk kanë mundësi të aplikojnë në vendet e BE”, vijoi kreu i qeverisë. Gjatë përurimit të unazës së Fushë Krujës kryeministri garantoi se qeveria e tij do të bëjë gjithçka që në këtë vend të asfaltohet çdo km rrugë e paasfaltuar. Unaza e Fushë-Krujës, 2.84 km e gjatë, është financuar nga Qeveria Shqiptare, Banka Europiane për Zhvillim (BERZH) dhe Banka Europiane e Investimeve (BEI). Unaza e re është e asfaltuar me një gjerësi që varion nga 6-7 m, dhe me bankina anësore në të dy krahët 0.75 m. Ajo është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës përfshirë trotuaret, ndriçimin publik, sinjalistikën vertikale dhe horizontale, sistemin e kullimit dhe kolektorin e ujërave të bardha, vepra arti, mure mbajtëse, tombino, të cilat janë bërë nga fillimi. Në pjesën e rrugës që kalon në fshatin Luz, janë vendosur parmakë metalike në të dy anët e rrugës. Ky segment rrugor është projektuar dhe ndërtuar për të përballuar një trafik të dendur dhe mjete të tonazhit të lartë. Ndërtimi i unazës së Fushë-Krujës shkurton kohën e udhëtimit në vetëm 5 minuta duke kursyer mjaftueshëm kohë për të gjithë mjetet e transportit. Për të rritur funksionalitetin dhe efiçiencën e këtij segmenti rrugor, pritet edhe ndërtimi i nyjës lidhëse midis unazës dhe Superstradës Fushë-Krujë-Milot.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›