E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Mandati i katërt për ulësen me emrin “Albania” në tryezën e Bashkimit Europian

TIRANË, 1 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se vota për Partinë Socialiste do të kthehet në një ulëse me emrin “Albania” në tryezën e Bashkimit Europian.

Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar Rinor për Shqipërinë 2030, Rama garantoi se “PS do ta marrë mandatin e katërt për ta ngjitur atdheun tonë të përbashkët në majën e lartë të 2030-ës”.

“Mirë se takohemi sot në këtë Kuvend Kombëtar Rinor që zhvillohet plot 100 ditë nga fitorja jonë e dhjetë radhazi. 100 ditë nga sot kjo parti, forca e përbashkët e shqiptarëve në qytet dhe fshat, në Shqipëri dhe diasporë do të marrë mandatin e katërt për ta ngjitur atdheun tonë të përbashkët në majën e lartë të 2030-ës”, tha kryeministri.

Rama shprehu bindjen se Shqipëria do të jetë më në fund si gjithë Europa. “Në atë majë ne do ta vendosim përgjithnjë flamurin tonë kombëtar, aty ku është oborri i shtëpisë së familjes europiane, ku do të hyjmë nga dera kryesore si të barabartë mes të barabartësh, anëtarë të BE-së”, tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se “100 ditë nga sot, shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë do të na mbështesin më shumë se asnjëherë më parë”.

“Jo thjesht se ne jemi më të mirët dhe pse më të mirë se ne nuk ka, por sepse si asnjëherë tjetër Shqipëria i është është afruar asaj maje dhe shqiptarët që të gjithë pa përjashtim duhet ta dinë atë që sidoqoftë fatmirësisht shumica e tyre e di fare mirë. Atë majë që tani shihet me sy dhe në një distancë shikimi me sy arrihet në këmbë si një realitet konkret dhe i prekshëm dhe jo si një ëndërr që nuk realizohet kurrë, nuk e afroi koha, por vizioni, skuadra, përpjekja jonë e jashtëzakonshme e të gjithë këtyre viteve që kur ne morëm detyrën”, tha Rama.

Rama theksoi se PS vendosi në vend dinjitetin e Shqipërisë në sytë e botës.

“I dhamë kohës shqiptare një kuptim të ri në të gjitha drejtimet por duke filluar nga vënia në vend e dinjitetit të Shqipërisë në sytë e botës. Ja ku është sot Shqipëria falë gjithçkaje kemi bërë në një dekadë betejash të pafundme përmes stërkëmbëshash të panumërt. Një vend që negocion anëtarësimin, flitet mirë për të kudo dhe të gjithë duan ta vizitojnë. Në 1 dekadë e rriti më shumë se 2 herë e gjysmë prodhimin e brendshëm kombëtar”, tha Rama. /j.p/

Rama në Kuvendin Rinor të PS, foto: Florian Abazaj 1 nga 8

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›