LSI, nga kapadaillëku në lutje për marrëveshje
Kur shohin qimen në Dajt, por nuk shohin traun para syve! - E majta shqiptare, e përfaqësuar thelbësisht nga PS-ja, vazhdimisht u shndërrua në një formacion qeverisës abuziv, duke filluar me “zgjedhjet” e 1997-s. Këto as emërtimin “zgjedhje” nuk e meritonin. Ishin zgjedhje domenesh. Nuk ka bërë ndonjëherë vaki në vendin tonë (dhe as kudo gjetiu), që krahina të tëra të jenë “prona” zgjedhore të një partie. Në vitin e përdhosur 1997, në shumë zona nuk mund të bëhej fushatë zgjedhore për PD-në ose aleatet e saj. Ndonjë mosbesues naiv për këtë fakt të çuditshëm, le të marrë gazetat e kohës dhe do të bindet për këtë të vërtetë që nuk respektonte as dukjet ( për sy e faqe), të minimumit të pluralizmit...Komitetet e Shpëtimit Publik (lexó: të formacioneve me mendësi bolshevike të bërthamës së “shtetit” të ardhshëm) këto farë komitetesh, pra, botonin në gazetat qendrore: “Le të vijnë pëdëistët në X qytet (të shndërruar në domen) për fushatë zgjedhore, pa i kanë gati litarët të varur në pemë, që po i presin!”. Kuptohet se për të vënë kandidaturat në këto “zona elektorale” as që mund të bëhej fjalë! Dhe propaganda mashtruese socialiste, - që në disa raste ia kalonte edhe asaj enversite,- kishte pafytyrësinë të bënte krahasime ndërmjet palozgjedhjeve që sapo i përmendim, me zgjedhjet e vitit 1996. Këto u bojkotuan nga humbësit, ndonëse u zhvilluan në të gjitha zonat, paçka se duheshin përsëritur në disa prej tyre, që t’u mbyllej goja përfundimisht kontestuesve. Sidoqoftë, zgjedhjet ishin plotësisht fituese. Dhe urdhri për t’u shkëputur në çastet e fundit, nuk ishte veçse një alibí për të përligjur humbjen! Sa për krahsimin me ato të ’97-s, është si të shohësh qimen në malin e Dajtit, duke mëtuar se nuk e sheh dot traun para syve!
Përse kapadainjtë nuk bëjnë krahasimin ndërmjet zgjedhjeve të tyre dhe ato që po përgatiten?/Socialistët tanë janë të ethshëm për të marrë pushtetin me çdo mjet, “duke kombinuar mënyrat legale me ato ilegale”, - sipas një porosie të Leninit. ’97-a është produkt i opozitës së dikurshme, duke përfituar nga firmat huamarrëse, në të cilat ishin përfshirë të gjithë të hipnotizuarit për fitime të menjëhershme por, veçanërisht, krahu i majtë, duke filluar nga protagonistët partiakë majtistë, me funksione të rëndësishme në këto piramida. Kryetari i zgjedhur i të dëmtuarve nga këto firma, kishte një dokumentacion të gjerë fac similesh dhe dokumentesh, që e provonin raportin e përfitimeve për të cilat folëm. Por Farudin Arapi ishte ngarkuar nga qeveria Nano që t’i mbulonte përfituesit e mëdhenj, paçka se F. Arapi kishte funksionin, sa për dukje, që “të bënte transaparencë”. Komisioni Ngjela ishte për t’u hedhur hi syve mirëbesuesve leshko. Përse Farudini nuk e pranoi ftesën për debat të hapur televiziv nga ana e kryetarit energjik të të dëmtuarve, që zotëronte një mal dokumentesh? Duhej mbuluar me çdo kusht e vërteta mbi firmat dhe të implikuarit e njëmendët e të fuqishëm në to; por nuk mund të mbytet përjetësisht e vërteta në lumin e turbullt të propagandës mashtruese majtiste. Pa e zgjatur muhabetin më tej, mund të shfaqim vetëm bindjen e sigurt të zbërthimit të një demagogjie të dyfishtë: të manipulimit me anë të shfrytëzimit të dukurisë së firmave (të përhapura në të gjithë ish-Lindjen komuniste, por pa ato pasoja në dobi të kontingjenteve të komunizmit që prisnin rastin); si edhe, e dyta, të asaj rokopuje që e çoi vendin në nivelin zero (1997-a) dhe e mbushi parlamentin me injorantë dhe me Lizat që pinë gjak njeriu dhe që dhanë shkas për zgjedhjet – farsë, gjer në korrikun e vitit 2005, kur të korruptuarit me nam në kupolën qeverisëse majtiste u bënë të padurueshëm në Europë, në Ballkan dhe, veçanërisht, për popullin shqiptar. Tani, nazemëdhenjtë zullumqarë janë të pakënaqur me kartat biometrike të zgjedhjeve, kur na kishin mësuar me listat zgjedhore të Finos, që ishin skandaloze për ndarjen e familjes në tri zona zgjedhore; me KQZ-në në raportet 6:1 ose 5:2 në favor të qeverisësve majtistë në pushtet (ndërsa tani janë dretjpeshuar raportet); me mungesën e rregullave të qarta për shkak të të cilave merreshin kutitë dhe depozitoheshin në komitetet e Partisë socialiste, apo hynte policia pa asnjë mandat në zgjedhjet për të bërë zallamahi e trysni. Apo edhe me atentate vdekjeprurëse ndaj komisionerëve të ish-opozitës, që merrej nëpër këmbë sipas mujshisë së kohës (kapadaillëkut kohor)...
A mos vallë, këmba e shtrirë pak si tepër, mbetet jashtë jorganit?/... Pa na u bënë aristokratë edhe plebejtë satelitë “me nga një qerre zgjedhësish”, - sipas shprehjes së një eksponenti gojështhurur të PS-së – e kemi fjalën për partizat pa elektorat e, megjithatë, të sajdisura me poste të pamerituara ministrash, kryetarësh të Kuvendit, e ku të di unë, qëmbase donin edhe hënën t’ua vije në dorë! Ilir Metës, atëherë për një kohë të gjatë në kolltukun e kryetarit të ekzekutivit, jo rrallë i vinte në majë të hundës nga buzëvarurit pa u rrahur. Nuk i shkonte ndër mend se do të bëhej edhe vetë buzëvarrur...Dhe këtë herë do të grindej jo me të djathtët, se mos ia kishin me hile, por me të vetët! – nëse shprehja mund të nënkuptojë majtistët! Ç’është e vërteta nuk duhet t’i biem më qafë vetëm atij, që e majta u nda më tresh. Fatos Nano e bëri gojën brisk e tundi dynjanë për korrupsionin, që e bombardoi me sa i mbajti palla dhe me emra konkretë. Por nuk e pati me gjithë mend atë shpërthim se do të bënte katarsisin. Dhe mbase po e kuptonte se formacioni i tij i së majtës, pa derman do të merrte të tatëpjetën. Kështu ajo lojë me katarsisin sa për të thënë, apo ajo tallje si ai 100 %-shi i rimbursimit të firmave piramidale, e nxorën jashtë loje më 3 korrik të vitit 2005. Nisi përçarja. Veçse këtë e mori përsipër ta nbyllte Edvini, me pompozitet. Bëri të kundërtën. E kishte si sëmundje të pashërueshme që me harbutësinë e tij kronike t’i përçante njerëzit, jo t’i bashkonte. Kur ishte ministër i Arsimit, i tërboi artistët. Madje i nxori nga greva me dajak, kur artistët e tjerë, që nuk u futën dot të gjithë në grevë, i kënduan arien e Nabukos në shenjë proteste, para shkallëve të Pallatit të Kulturës...Kaq hyqëm kishte atëherë. Tani që u bë kryetar, s’po lë gjë pa thënë kundër kryetarit të LSI-së (dhe LSI-së vetë). Meta e sfidoi, kur tha se do të merrte një të tretën e elektoratit në këto zgjedhje të 2009-s. (Pati edhe zëra se synonte postin e kryeministrit!). Por edhe Edvini ia ngriti mendjen me shprehjet kategorike se komisionerët ishin të mjaftueshëm dhe nuk mund të shtoheshin më kot. Sepse shto ujë e shto miell, kushedi sesa do të bëheshin, me njëfarë llogarie. Nga ana tjetër, gjatë numërimit, këtë herë çdo fletëvotimi do të dilte në ekran dhe s’mund të bëheshin dallavere si më parë, paçka se kjo nënkupton mashtrimet që ishin bërë më parë, në kurriz tëPD-së dhe të aleatëve të saj! Kështu lindi një kacafytje që i bën njerëzit e thjeshtë të mendojnë se këto të dy forca politike, ndonëse të dyja të majta, janë absolutisht të papajtueshme. Dihet se Edvini, me anë të papagallit të tij, nuk ka lënë fyerje nga më të egrat pa nxjerrë nga goja kundër ish-aleatit të tij. Por edhe ky i fundit, Meta, ia ka kthyer me të njëjtën monedhë dhe, për më tepër, duket se u shty paksa si tepër me ato parashikimet e hiperbolizuara se do të dilte forcë e parë, se do të kapte një të tretën e elektoratit, etj. Mos kërkohet, tani, një justifikim në rast të mosrealizimit të këtyre “profecive”?