Kooperacioni italian në Vlorë jep 20 mln lekë për planin e zhvillimit social

Kooperacioni italian, një partner financiar në Shqipëri, ka akorduar 20 milionë lekë për një projekt 2-vjeçar në qytetin e Vlorës, që synon mbështetjen e grupeve sociale në nevojë. Burime zyrtare të bashkisë bënë të ditur sot se projekti do të menaxhohet nga qeverisja vendore dhe do të jetë pjesë e aktivitetit të organizatave të ndryshme jofitimprurëse, të cilat zhvillojnë aktivitet në fushën e shërbimeve sociale. Oganizatat që dëshirojnë të përfitojnë nga ky projekt do të aplikojnë me programe konkrete për sektorët që mbulojnë në njësinë e menaxhimit të projektit që drejtohet nga një bord. Anëtarët e këtij bordi do të vlerësojnë aplikimet dhe do të shpallin fituesit. Gjatë ditëve të fundit, pranë njësisë së menaxhimit të projektit në bashki janë organizuar disa takime përgatitore me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të organizatave jofitimprurëse, qendrave rezidente për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët jetimë. Pas këtyre takimeve është vendosur hartimi i planit të zhvillimit social të Vlorës që do t’i paraprijë zbatimit të projektit, të financuar nga kooperacioni italian.
...