Sociologu Dervishi: Ja se pse është rritur numri i divorceve në vend

Divorcet janë bërë tepër në modë kohët e fundit në vendin tonë. Të shumtë janë dhe emigrantët shqiptarë, të cilët martohen jashtë shtetit dhe pasi krijojnë një familje të dytë, u kërkojnë divorcin grave që lënë në Shqipëri. Por në shumë raste të tjera janë gratë ato, të cilat, duke fituar pavarësinë e tyre, kërkojnë divorcin. Sipas sociologut Zyhdi Dervishi, një faktor i rëndësishëm për rritjen e numrit të divorceve është edhe punësimi i grave. “Është një fakt për t’u pranuar se gratë, duke siguruar pavarësinë ekonomike përmes punësimit, e kanë më të lehtë të kërkojnë divorcin dhe të përballojnë problemet ekonomike pa ndikimin e bashkëshortëve të tyre”, shprehet Dervishi. Një faktor kryesor që ndikon në rritjen e numrit të divorceve është rritja e nivelit të arsimimit dhe personalitetit të grave në shoqëri. Kështu në auditorët e Universitetit të Tiranës, numri i femrave që ndjekin studimet e larta është më i lartë në krahasim me meshkujt dhe për rrjedhojë, në një të ardhme jo të largët, në Shqipëri do të ketë më shumë femra të arsimuara se sa meshkuj. Ndryshimet ne statuset e bashkëshortëve janë një faktor që ndikon në numrin e divorceve. “Dinamika e ndryshimeve në statuset e bashkëshortëve përcakton në një masë të konsiderueshme ecurinë e divorceve dhe të rimartesave edhe në shoqërinë demokratike shqiptare”, thekson sociologu Dervishi. Sipas tij, të shumta janë edhe shkaqet e tjera që të çojnë drejt divorcit e ndër to mund të përmendet gjendja e rënduar ekonomike, tradhëtia bashkëshortore, dhuna fizike dhe psikologjike, mungesa e mirëqënies për të rritur fëmijët, mospërputhja e karakterit e të tjera si këto.
...