E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Talentet shqiptare, po bëjnë emër edhe jashtë atdheut"

Nga Express më 07 shtator 2011 në ora 22:30

Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim dy artiste shqiptare në Hollywood, Greta Zenelaj dhe Vilma Zenelaj.

Këto dy artiste ishin pjesëmarrëse dhe u prezantuan në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, që u zhvillua pak ditë më parë në qytetin e Durrësit, me dy produksione të tyre, komedinë “Çfarë të bëj unë tani?” dhe me melodramën “Në pyll”.

Gjatë takimit ato e njohën Kryeministrin me projektin e tyre të ardhshëm për realizimin e një filmi me tematikë për 2 prillin e vitit 1991. Ky film do të mbajë titullin “Shqipe” ose “Eagle”.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri ato kanë vizituar edhe qytetin e Shkodrës, prej nga do të nisin xhirimet e filmit të tyre të ardhshëm.

Ato i shprehën Kryeministrit Berisha impresionet për ndryshimet tepër pozitive dhe të dukshme që ka pësuar qyteti i Shkodrës dhe Shqipëria në këto vitet e fundit.

Kryeministri Berisha i përgëzoi dy artistet shqiptare si për dy filmat me të cilat u prezantuan në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, ashtu edhe për iniciativën për realizimin e filmit të tyre të ardhshëm mbi ngjarjet e 2 prillit 1991.

Duke i uruar suksese në realizimin e këtij projekti, Kryeministri Berisha u shpreh se ndjehej mirë që artistët e rinj shqiptar, të cilët po bëjnë emër edhe jashtë atdheut, me talentin e tyre janë prezent në vendlindje. /abcnews/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›