Kopenhagën, e ardhmja është këtu
Më shumë se 450 kilometra pistash çiklistike dhe një sistem parqesh ku mund ta arrish me këmbë për 15 minuta. Një konsum i jashtëzakonshëm i produkteve biologjike. Për më tepër, qëllimi për të shkurtuar emetimet e Co2 deri sa të bëhet një qytet pa dyoksid karboni. Kryeqyteti danez nuk heq dorë nga iniciativa për t‘i treguar botës se është një metropol 100 për qind ekologjik. Ka vetëm një samit për klimën, që ka rëndësi më shumë se të tjerët, dhe ai është samiti i njerëzve. Pasi janë "djegur" shpresat politike për "Climate Change Conference" të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet në Kopenhagën në muajin dhjetor, njerëzit aty si gjithmonë i kanë të qarta idetë dhe mendimet për natyrën. Kristin Holten-Anderson, arkitekti që s‘i ka mbushur të tridhjetat, por që ka arritur të bëjë bashkë aktivistë, shkencëtarë, artistë, 6 mijë persona përfshi këtu edhe njerëz të famshëm, përsërit prej disa ditësh: "Do të ishte shumë e sikletshme për liderët botërorë që të largoheshin nga "Cop 15", pa impenjime specifike, ndërsa njerëzit e zakonshëm këtu kanë arritur rezultate konkrete". Me pak fjalë, me temperaturat nën zero danezët janë mësuar tashmë. Dhe nuk do të jetë lajmërimi për të ridimensionuar "Cop 15" ai që do t‘u prishë festën. Përkundrazi, nëse për të tjerët takimi do të jetë rituali i radhës që nuk do të nxjerrë asnjë konkluzion, qyteti është i vendosur të tregojë ku ka arritur me forcat e veta. Qyteti i së ardhmes është pikërisht këtu. Mirë se erdhët në Kopenhagën. Kësaj here nuk do të flasim për qytetin, ku jetojnë njerëzit më të lumtur në botë ashtu si OSBE dhe Universiteti i Leicesterit përsërit shpesh. Do të flasim për qytetin që është duke bërë realitet ëndrrën për të qenë kryeqyteti ekologjik i Europës. Për ta arritur këtë, vendi në dhjetë vitet e fundit ka shkurtuar emetimet e gazrave që ndotin ambientin me 25 për qind, ndërsa sot, në krahasim me vitin 2005, janë reduktuar akoma edhe 20 për qind. Për më tepër, ka fiksuar një kufi, i cili ka lënë me gojë hapur pjesën tjetër të botës: brenda vitit 2025 do të jetë një qytet "carbon-neutral", d.m.th. me emetime zero. Këtë premton "The city of Copenhagen", qyteti dhe banorët e tij, që më 2007-n firmosën projektin "Eco-Metropolis", ku askush nuk i merr përsipër meritat, sepse rezultat janë "pronë" e të gjithëve. Armiku i vetëm që duhet luftuar është CO2. Angazhimi për të çuar drejt zeros këto emetime është një obsesion për të gjithë, një modë dhe një qëllim. Nga taksitë tek autobusët elektrikë, apo avionët që ushqehen me gaz bio, nga dyqanet te restorantet, ku ngado sheh njerëz të angazhuar për të mbrojtur ambientin dhe qytetin nga ndotja. Biznesi jeshil ka pushtuar vendin ku hyn edhe pjesa më e madhe e hoteleve nga "Danhost", ai low-cost në qendër të qytetit te "Nimb" më i shtrenjti nga të gjithë me 13 dhoma dhe me një pamje perfekte nga parku. Nuk mund të mos përmendim hotelin e ri "Crown Plaza", ku ajri i kondicionuar sigurohet përmes ujit të detit. Qyteti po përballet edhe me një betejë teknologjike. Për të reduktuar zhurmën kundër trafikut është adaptuar një sistem i ri asfalti. Po ashtu, vendi për të ruajtur natyrën është kundër përdorimit të makinave dhe këtë e ka vënë në dukje përmes taksave mjaft të larta që aplikon. "Duam të jemi një model për t‘u marrë shembull. Dëshirojmë të bëhemi qyteti më i mirë në botë për çiklistët. Kemi një rrjet pistash çiklistike të gjata rreth 450 kilometra. Këtu, një e treta e qytetarëve shkojnë në punë me biçikletë", tregon Hans Chrisitan Christiansen, një ekspert në fushën e ambientit dhe një ndër përkrahësit më të zjarrtë të projektit "Eco-Metropolis". Impakti i biçikletave është vlerësuar shumë në 80 mijë ton Co2 më pak në qytet këto vitet e fundit. "Për shkurtimet e reja të emetimeve të CO2 do të bazohemi te sistemet e ngrohjes së ndërtesave dhe te mjetet e transportit". Sot, pjesa më e madhe e banesave është në gjendje ta sigurojë energjinë elektrike dhe termike nga djegia e mbeturinave. Rreth 90 për qind duhet të ketë një park, pasi ecin në këmbë rreth 15 minuta, të tjerë do të ndërtohen për fëmijët". Ndërgjegjësimi ka nisur që nga fëmijët, të cilëve kur u bie radha të hedhin mbeturinat nuk ngurrojnë t‘i ndajnë sipas vendeve të duhura. Edhe fëmijëve nëpër kopshte nuk u jepen më lodra plastike. Ushqimi është biologjik, si gjithçka tjetër në vend dhe çmimet janë shumë të arsyeshme. Në Frederiksbeg ndodhet supermarketi më i madh i produkteve natyrale. Biologjike janë edhe parukeritë, madje edhe dizajni i ndërtimit të ndërtesave imiton natyrën. "Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për atë që bëjmë. Këtu vetë bashkia e qytetit të ndihmon që iniciativat që kërkon të ndërmarrësh të jenë të gjitha bio. Për shembull, ata të vënë në dispozicion një konsulent që të planifikojë shtëpinë tënde, në mënyrë të tillë që gjithçka të jetë sa më natyrale". Nuk ka si të mos jetë ky vendi më i lumtur në botë. Rrjeti i fuqishëm i sigurisë sociale që "i përkund" danezët që nga momenti i lindjes deri në vdekje është mikpritës edhe për të huajt. Disa njerëz mendojnë se një nga shkaqet e lumturisë së tyre është qetësimi i plotë i mendjes dhe trupit dhe kalimi i një kohe sa më të gjatë me familjen e mbi të gjitha kryerja e aktiviteteve të përbashkëta në natyrën 100 për qind të pastër.