E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO, Shqipëria i bashkohet tregut modern të armatimeve dhe sigurisë

Në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, shoqëria "Klik Ekspo Group" prezantoi dje Panairin e Parë të Specializuar të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, "Albanian Military Exhibition" (ALMEX). Ky aktivitet i madh do të zhvillohet në tetor 2010 me pjesëmarrjen e emrave më të mëdhenj të industrisë së armatimit në botë.
Demonstrimi i zhvilluar dje në Zall Herr "Siguri, Armatime, Teknologji dhe Emergjenca" prezantoi emra me peshë në industrinë e armatimeve, pajisjeve ushtarake dhe emergjencave civile, duke treguar në të njëjtën kohë interesin që zgjon Shqipëria në arenën ndërkombëtare, me anëtarësimin e saj në NATO. Presidenti i shoqërisë "Klik Ekspo Group", Luan Muhametaj, në fjalën e tij të përshëndetjes tha se, "le të jetë ky prezantim i sotëm, një parathënie e prekshme e një ngjarjeje të rëndësishme e unike që ‘Klik Ekspo Group‘ me mbështetjen e pashlyeshme të Ministrisë së Mbrojtjes do të prezantojë në tetor të vitit 2010, ‘Albanian Military Exhibition‘ (ALMEX) Panairi i Parë i Specializuar i Sigurisë dhe Mbrojtjes. ALMEX mbart në vetvete qëllimin e pasqyrimit të një epoke të re për Forcat e Armatosura, në përpjekje për t‘u riformuar sipas standardeve dhe në partneritet të fuqishëm me aleancën. Ndër të tjera misione, ALMEX do të përpiqet të përçojë një imazh të rinovuar të Forcave të Armatosura Shqiptare e mbi të gjitha vetë Shqipërisë".
Prezantimi u formësua nga dy ekzekutime të ndryshme show, biznes dhe strategji të gjitha në një:
- Ekspozimi i automjeteve ushtarake që u vihen në dispozicion komandave ushtarake, me specifikime për transport mallrash, njerëzish, apo të pajisura teknikisht për situata të paqëndrueshme, shpëtimi dhe emergjenca civile etj. I përgjigjen ftesës multinacionale si TATRA (selia e Republikës se Çekisë), GIMAEX drejtpërdrejtë nga Franca, ‘Mercedes Benz‘, Volkswagen etj.
- Fronti tjetër i evenimentit, ishte ai më befasues, pasi iu dedikua demonstrimit ‘live‘ të pajisjeve dhe armatimeve të lehta ushtarake, në poligonet e vëna në dispozicion të tij. Në prezantimin e Zall Herrit, ku u përdorën dhjetëra mjete pajisje ushtarake, mjete motorike dhe pajisje të tjera morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes, Arjan Starova, drejtues të lartë të seksioneve ushtarake të kompanive ‘Mercedes Benz‘, ‘Volskswagen‘, ‘Bereta‘, ‘Toyota‘, ‘Alba‘, ‘Tatra‘. Së bashku në tribunë, ndoqën veprimet ushtarake dhe atashetë ushtarakë të akredituar në Shqipëri. Të pranishmit vlerësuan cilësinë e lartë të armëve, mjeteve, veshjeve dhe pajisjeve që përdorën forcat e komandove, speciale dhe atyre ajrore.
Dhjetëra pjesëtarë të Forcave të ndryshme të Armatosura treguan "live" pajimet dhe armatimet e lehta ushtarake. Ushtarët, duke i përdorur ato në situata të ndryshme të improvizuara, konkretizuan nevojën për modernizim të ushtrisë përpara drejtuesve të lartë të ushtrisë shqiptare të politikanëve dhe publikut të gjerë. Demonstrimi nisi me ekspozimin e automjeteve ushtarake që u vihen në dispozicion komandave ushtarake, me specifikime për transport mallrash, njerëzish, apo të pajisura teknikisht për situata të paqëndrueshme, shpëtimi dhe emergjenca civile etj.
Organizatorët janë të bindur së ALMEX prezantohet si një produkt-surprizë për qarqet mediatike ndërkombëtare të mësuar me një Shqipëri hermetikisht të fshehur pas mëvetësisë politike e sociale të gati dy dekadave të shkuara. Një ushtri moderne dhe profesionale nën ndikimin e reformave të pandërprera të qeverisë shqiptare, shfaqet pozitivisht aktive në fuqizimin e kahut juglindor të NATO-s. "Albanian Military Exhibition" synon që veç krijimit të kushteve të përshtatshme për tregun e pajisjeve ushtarake të rrëzojë dhe një mit shumëvjeçar.
Veçse asaj çka do të ofrojë si treg, apo si biznes, ALMEX shihet dhe politikisht, si një ngjarje e shumëpritur. Panairi Ndërkombëtar i Mbrojtjes dhe Sigurisë do të tregojë profilin e Shqipërisë si partner i besueshëm dhe i sigurt europian, promotor i stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik.
Duke iu përshtatur nevojave të Forcave Komando, atyre Speciale, Forcave të Armatura dhe atyre Detare, drejtues të "Klik Ekspo Group" thonë se do të përgatisin terrenin e përshtatshëm për dukuritë e reja ekonomike dhe biznesi në vend. Së pari, Forcat e Armatosura duhet të reformohen thellësisht, pasi misioni i tyre tanimë me anëtarësimin në NATO nuk është ai me të cilin kanë vepruar gjithë këto vite. Kjo sjell nevojën e njohjes dhe përshtatjes së pajisjeve ushtarake sipas standardeve të NATO-s. Nga ana tjetër, duke nuhatur këtë treg tërësisht të ri, dhjetëra biznese që operojnë në këtë sektor kanë nevojë që të prezantojnë produktet e tyre. Për të lidhur bashkë këta dy aktorë në tregun që u hap, shoqëria "Klik Ekspo Group" do të kthejë në traditë dhe ngulisë në tregun shqiptar ALMEX, Panairin Ndërkombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë. "Albanian Military Exhibition" do të tregojë bukurinë dhe potencialet e tij gati një vit përpara konkretizimit të stendave në panair. Duke hedhur shikimin nga e ardhmja, një grupim përfaqësuesish të kësaj industrie, përmes një evenimenti-demonstrim "live" kërkuan dje vëmendjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, trupit diplomatik dhe atasheve ushtarake, Ministrisë së Brendshme, Shërbimit Informativ Shqiptar, personaliteteve të përzgjedhur nga rajoni si Kosova, Maqedonia, Serbia etj. Këta si dhe shumë subjekte e persona të tjerë përjetuan nga afër prezantimin, për t‘u kthyer në fund të tij edhe përfitues të mundshëm të produkteve të ekspozuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›