Partizani, fitore me përmbysje në derbi

Partizani ka fituar me përmbysje derbin me Tiranën në volejboll për meshkuj, e cila në kuadrin e javës së pesëmbëdhjetë të Superligës është luajtur në sallën olimpike “Feti Borova” dhe ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Tirana sikur e ka nën kontroll ndeshjen, ndërsa ka rrëmbyer dy sete njëherazi, 18-25 dhe 21-25.
Mirëpo Partizani reagon dhe e barazon gjendjen e seteve në 2-2, pasi ka fituar 25-22 dhe 25-20. Shumë i luftuar seti i pestë, i cili në pikët shtesë ishte për Partizanin, 16-14 dhe në përfundim, 3-2. Për trajnerin e Tiranës, Arben Sako, kjo humbje do të duhet të jetë një shkundje për skuadrën e tij. Kurse tekniku i të kuqve, Ylli Tomorri, e sheh skuadrën e tij gjithnjë e në rritje të lojës, por që ka ende për të përmirësuar në vazhdim.