Korçarët bëjnë kokë turku Ramazan Ndreun
Ramazan Ndreu është “viktima e radhës e një Skënderbeu të papërmbajtshëm, që po mahnit Kategorinë Superiore. Korçarët fitojnë 1-2 në Krujë, përballë Kastriotit, i cili, pas humbjes së përballjes së djeshme me “ujqërit e dëborës”, tashmë e shikon veten më të rrezikuar se kurrë në luftën për mbijetesë. Renditet i parafundit në klasifikim, në kuotën e 30 pikëve, 8 më shumë se Gramozi, thuajse 100% i fundosur drejt Kategorisë së Parë. Përballja e djeshme ishte një ndeshje direkt e Kastriotit në luftën për mbijetesë, po me triumfin në Krujë, Skënderbeu ka mbyllur në njëfarë mënyre të gjitha “gojët e liga”, pavarësisht se kohët e fundit është akuzuar se ka marrë shumë “dhurata”. Por fitorja 1-2 e korçarëve ka lënë edhe një viktimë pas. Ai është trajneri Ramazan Ndreu, i cili menjëherë pas ndeshjes ka dhënë dorëheqjen, duke akuzuar lojtarët e tij se nuk u impenjuan në këtë sfidë vendimtare dhe tejet delikate. “Nuk mund të vazhdoj t’i drejtoj më këta lojtarë, që nuk japin maksimumin në fushën e lojës. I kërkoj ndjesë tifozerisë krutane dhe më vjen keq që skuadra ndodhet në këtë pozicione. Pjesa e parë ishte shumë e mirë për ne, por çuditërisht disa lojtarë në pjesën e dytë ishin inekzistentë. Arifaj dhe Pema janë të përjashtuar tashmë nga ekipi, nuk do jenë më pjesë e skuadrës së Kastriotit. I uroj fat skuadrës në ndeshjet e mbetura dhe shpresoj që lojtarët të japin më të mirën në fushë dhe jo siç bënë disa, duke më tradhtuar jo vetëm mua, por gjithë Krujën, me këtë veprim që bënë sot. Nuk e kisha menduar kurrë humbjen me Skënderbeun”, ka përfunduar Ndreu, dorëheqja e të cilit nuk është pranuar ende nga presidenti. Më pas është konfirmuar se Kastrioti ka përjashtuar dy lojtarët, Pema dhe Arifaj. Shkak është impenjimi i pakët i tyre gjatë javëve të fundit në kampionat, edhe pse dje nuk kanë luajtur asnjë minutë.
#