E Diel, 1 Nëntor 2026

Çudit Skënderbeu, fitorja e gjashtë radhazi

Ashpërsohet kampionati, skuadrat që kërkojnë Europën, tani rrezikojnë edhe mbijetesën

Java e 26-të e Kategorisë Superiore e ka bërë edhe më interesant kampionatin më elitar në vend. Pas akuzave për tolerime dhe ndere, tashmë kampionati elitar në vend është shndërruar në një terren të pasigurt. E vetmja që mund të qëndrojë e qetë është Dinamo, e cila ka vendosur një dorë te titulli. Ndërkohë, të gjitha skuadrat e tjera duhet të vuajnë deri në fund “surprizat” nga një lëmsh ku të gjitha bashkëpunuan për të krijuar. Diferencat në tabelë janë fare të vogla: tashmë, edhe ekipet që pretendojnë kupat e Europës, ndihen të rrezikuara për mbijetesën. Kjo duke filluar nga Besa e vendit të dytë, e cila ka vetëm 8 pikë më tepër se Teuta e vendit të nëntë në zonën “play-out”.

Por, çudia më e madhe e këtyre javëve të Superiores është padyshim Skënderbeu. Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa ka regjistruar triumfin e gjashtë radhazi në kampionat, duke marrë një fitore mjaft të rëndësishme në fushën e Kastriotit. Falë golave të Klevis Roshit në të 65-ën dhe Vlado Markoviç në të 67-ën, korçarët përmbysën avantazhin e përkohshëm të vendasve, që kishin gjetur rrjetën në të 34-ën me Babiç. Për miqtë gjithçka është bërë edhe më e thjeshtë pas minutës së 74-t, kur krutanët mbetën në inferioritet numerik, pas daljes me karton të kuq të Kalarit. Një disfatë që la mjaft pasoja në kampin e Kastriotit: skuadra rrëshqiti në vendin e parafundit, trajneri Ramazan Ndreu dha dorëheqjen, ndërsa klubi ka përjashtuar dy futbollistë, Eleandro Pema dhe Besmir Arifaj. Tri pikë jetike në luftën për të qëndruar mes më të mirëve kanë marrë edhe Flamurtari dhe Vllaznia, dy emrat e mëdhenj që deri në javën e 21-të e shihnin veten në zonën “play-out”. Vlonjatët mposhtën me rezultatin 2-1 Dinamon e vendit të parë, falë rrjetave të realizuara nga Lena dhe Memelli, që bën të pavlefshëm rrjetën e Sozës, i cili shkurtoi shifrat në fillimin e pjesës së dytë. Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për kuqezinjtë e drejtuar nga Gugash Magani, që tashmë ngjiten në vendin e 7-të me 33 pikë (përpara kësaj ndeshjeje ishin të dhjetët). Ecuria e mirë e vlonjatëve lidhet edhe me rikthimin e Migen Memellit në formën më të mirë: sulmuesi ka realizuar 4 gola me peshë në tri ndeshjet e fundit, duke u bërë protagonisti absolut i 9 pikëve të fituara. Pavarësisht humbjes, dinamovitët ruajnë distancën me 18 pikë nga Besa e vendit të dytë. Kjo edhe për faktin se kavajasit humbën me shifrat 2-0 në “Loro Boriçi” përballë Vllaznisë. Për shkodranët ndeshja ka qenë mjaft e lehtë: skuadra e Edi Martinit ka gjetur avantazhin në të 15-ën, me Shtubinën, ndërsa tri minuta më vonë miqtë mbetën në inferioritet numerik, pas daljes me karton të kuq të sulmuesit Daniel Xhafaj. Golin e dytë për kuqeblutë e realizoi mbrojtësi Elvis Kraja në të 65-ën, i cili vulosi edhe humbjen e katërt radhazi të Besës.

Tirana arrin një fitore të rëndësishme në fushën e Apolonisë. Plaku dhe Muzaka u dhanë tri pikët bardhebluve në debutimin e trajnerit Sulejman Starova, ndërsa kundërpërgjigjja e fierakëve me Brkiç nuk ishte e mjaftueshme. Teuta dhe Laçi ndajnë nga një pikë në Durrës, një rezultat që u vlen më shumë kurbinasve, ndërsa Shkumbini fiton me vështirësi me Gramozin e vendit të fundit, me rezultatin 2-1.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›