Korçarët gjejnë APOEL-in në Champions
Skënderbeu do të ndeshet me kampionen e Qipros, Apoel Nikosian në turin e dytë paraeliminator të Champions League. Ky ka qenë verdikti i dalë dje në shortin e zhvilluar në Nion të Zvicrës, ku korçarët kanë “peshkuar” një rival dukshëm më të favorizuar se ata, por jo më të frikshmin e tërë rivalëve të mundshëm. Ndeshja e parë do të zhvillohet në Korçë 12/13 korrik dhe kthimi një javë më pas 19/20 korrik në Nikosia të Qipros.
Skënderbeu ka evituar në shortin e djeshëm Dinamon e Zagberit, Partizanin e Beogradit, Malmon, Rozenborgun, Liteksin, Bate Borizovin dhe Vislën e Krakovës. Mund të quhen me fat korçarët që në eksperiencën e tyre të parë europiane kanë arritur të shmangin ata që quhen si favoritët e mëdhenj për të shkuar në turin e tretë, e pse jo, edhe për të kapur fazën në grupe. Megjithatë, edhe aq kollaj nuk do ta ketë skuadra e Shpëtim Duros, pasi rivali i tyre ka një eksperiencë shumë të madhe në Kupat e Europës. Kështu, APOEL-i ka zhvilluar në total 114 ndeshje në kompeticionet europiane, prej të cilave ka fituar 34, barazuar 26 dhe humbur 54 ndeshje. Ndërsa, në Champions League, qipriotët kanë mundur të zhvillojnë 34 ndeshje, ku kanë fituar 9 përballje, barazuar 7 dhe humbur 18. Në veprimtarinë madhore të Kontinentit të Vjetër, suksesi më i madh i APOEL Nikosias është padyshim sezoni 2009-2010, kur ata arritën të futen në fazën në grupe, pasi eliminuan në raudin e parë Pelisterin e Maqedonisë (1-0, 0-0), në raundin e dytë Partizanin e Beogradit (2-2, 3-3), dhe në raundin e tretë FC Kopenhagenin (3-1, 0-1). Më pas ata ranë në grupin D eliminator, ku mundën t’i merrnin dy barazime Atletikos së Madridit (1-1, 0-0), humbje dhe barazim kundër Çelsit (0-1, 2-2) si dhe dy humbje kundër Portos (0-1, 1-2), duke u renditur në vendin e fundit në grup. Kujtojmë se në atë periudhë, në radhët e skuadrës qipriote militonte edhe mbrojtësi i majtë kuqezi, Altin Haxhi, që e mbylli karrierën e tij futbollistike pas përfundimit të atij sezoni.
Përballja me Tomorin
Por skuadra e APOEL-it nuk është tërësisht e panjohur për publikun shqiptar. Përveç faktit se aty është aktivizuar në vitet 2008-10 gjirokastriti Haxhi, qipriotët janë ndeshur dikur me një ekip shqiptar. Bëhet fjalë për Tomorin e Beratit, që në sezonin 2000-01 u ndesh me APOEL-in në raundin e parë të Kupës UEFA. Atëherë APOEL-i arriti t’i fitojë të dyja ndeshjet me rezultatet 2-0, 3-2. Golat në sfidën e Beratit u shënuan nga Genti Lako (59’) dhe Elton Fani (92’).