E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë-Madrid, rruga që duhet ndjekur...

Për të mos u ngatërruar le të kujtojmë që në fillim se me këtë ‘linjë’ pat nisur nga Korça, prej fundverës që shkoi, ajo rrugë e gjatë dhe e bujshme e Apoelit të Qipros, që pasi pat kaluar atëherë me shumë lehtësi skuadrën tonë Skënderbeu, përfundoi të mërkurën e kësaj jave aventurën e saj në Madrid, atje ku Reali vendas, njëra prej skuadrave më të shquara të botës dhe më të fortat aktualisht, më në fund e eliminoi atë. Tifozët tanë të dëshiruar prej kohësh për një “udhëtim” të tillë të ndonjërës skuadër shqiptare, ju mbetet si kujtim i largët ai rast i Flamurtarit të fund viteve 80-të, i vetmi deri tani që pat mundur të kaloj deri në turin e tretë të një aktiviteti europian! Për skuadrat e tjera, përfshi edhe kampionen e sezonit që shkoi-Skënderbeun, që të gjitha janë përshkuar në pjesëmarrjet e tyre nga episode që vështirë se mund të mbahen mend, ndryshe nga ç’bëri Apoeli qipriot, skuadra e një vendi më të vogël se i yni, që arriti të shkojë deri në 8-en e më të mirave të Europës, madje duke e mbyllur misionin e saj edhe me shënimin e 2 golave në stadiumin “Santiago Bernabeu”, ku midis 100 mijë spektatorëve ndodheshin edhe rreth 5 mijë përkrahës ishullorë që këtë çast historik të skuadrës së tyre donin ta përjetonin live...! Rruga e skuadrës qipriote Apoel, që rastësisht prej shortit të fazës paraeliminatore nisi verën e kaluar nga qyteti ynë i Korçës dhe që përfundoi këtë javë denjësisht në një prej tempujve të futbollit të një vendi që ende mbetet i kurorëzuar me titujt më të mëdhenj: Kampion Europe dhe Kampion Bote, jo më kot e kam përmendur në titull se duhet ndjekur nga futbolli ynë, që deri tani vetëm se ka ëndërruar për ta bërë një gjë të tillë. Duke ju rikthyer historisë vërej se sidomos në këto 2-3 dekadat e fundit paraqitja bashkë me eliminimet e futbollit tonë kanë qenë larg atyre që kemi parë gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, edhe pse kushtet ekonomike të asaj kohe nuk ishin aspak këto që kemi sot, kur zotëron tregu i lirë dhe natyrisht standardet e jetesës janë shumë më të mira. E përmenda këtë fakt nisur pikërisht nga shembulli i skuadrës qipriote, që ndryshe nga ne që tani kemi mbetur në vend ose kemi bërë hapa mbrapa(!?), përkundrazi, të tjerët dikur me një futboll më të prapambetur, sot arrijnë të futen në grupin e 8 skuadrave më të mira të Europës ngaqë kanë ditur veç të tjerave t’i shfrytëzojnë siç duhet avantazhet e ekonomisë së tregut. Kujtoj atë kohë “të artë” të skuadrës vlonjate ndaj Barcelonës, sidomos atë ndeshje që e pata transmetuar drejtpërsëdrejti nga ‘Kamp Nou’, ç’ka ndodhte për herë të parë për një skuadër tonën jashtë vendit dhe ku Flamurtari qe eliminuar nga ajo skuadër e madhe e Linekerit, golashënuesit më të mirë të finaleve botërore të atij viti dhe të tjerëve po aq të famshëm si portieri Zubizareta, pas dy barazimeve, 1-1 në Vlorë dhe 0-0 pikërisht në zemër të Katalonjës! Ishte një kohë kur aktivizimi i futbollistëve të huaj në skuadrat tona përbënte një herezi të plotë, ndërkohë që të tjerët kishin nëpër formacionet e tyre yje të shquar nga vende të ndryshëm. Por atëherë kishte diçka tjetër, lojtarët tanë që kishin dalë nga “shkolla e rrugës” dhe që luanin për herë të parë nëpër stadiume të ndriçuar me prozhektorë dhe që nuk i njihnin aspak këto “premiot” e sotme, derdhnin në fushën e lojës shpirtin e tyre, që edhe pse ishte e vështirë t’i sfidonte superfuqitë e kohës, megjithatë me këtë paraqitje i bënin entuziastë tifozët që nuk mungonin të mbushnin mjediset sportive. Ai shpirt gare, që mund të quhet si e vetmja “pasuri” e futbollit shqiptar dhe që shpesh e kemi parë të shfaqet nëpër ndeshje të tilla si ajo që përmendëm ndaj Barcelonës e veçanërisht ndaj skuadrave të ndryshme përfaqësuese, si ato ndaj Gjermanisë së Bekenbauerit e Gerd Mylerit në fillim dhe të tjerave më vonë kur luanin Shuster apo Rumenige, çuditërisht ka ardhur duke u zbehur, duke mos mbetur pothuajse asnjë gjurmë e atij identiteti të dikurshëm! Duke ju rikthyer ekipit qipriot, tashmë të famshëm, a ju kujtohet se sa me lehtësi na pat mundur në të dy ndeshjet e luajtura, si në Korçë ashtu dhe në Nikosia?! Dhe kjo sepse Skënderbeut tonë ato ditë, veç të tjerave, i mungoi edhe ai pak shpirt që i kishte mbetur prej sezonit të kaluar, kur qe shpallur kampion. I vetëdijshëm për këtë, por edhe i ndërgjegjshëm për epërsinë cilësore të kundërshtarit, trajneri i Skënderbeut në ato ndeshje, Shpëtim Duro me sinqeritetin e tij kur deklaronte se kështu Apoeli nuk mund të kalohej, pat habitur në një farë mënyre disa prej atyre që mendojnë ende se bota vazhdon të rrotullohet rreth nesh!...

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›