E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, festa e Shën Marisë në Boboshticë

KORÇË -Sot të gjithë besimtarët e krishterë ortodoksë, festojnë një nga festat më të rëndësishme të këtij besimi, Festën e Shën Marisë. Çdo 15 Gusht, besimtarët ortodoksë kremtojnë jetëndërrimin e saj dhe kalimin e shpirtit me trupat qiellorë, me birin e saj Jezu Krishtin. Pas Pashkës së Madhe, kjo është festa më e rëndësishme për besimin ortodoks.

Në kishën e Shën Marisë, në qytetin e Korçës qindra besimtarë morën pjesë në meshën e cila u mbajt nga Atë Ilia Kotnani, i cili në këtë ditë të shënuar uroi të gjithë besimtarëve paqe, lumturi dhe shëndet në familjet e tyre. “Nga përmasat dhe madhësia e kësaj feste, ajo quhet shpesh në gjuhën popullore “Pashka e Beharit” pasi pjesëmarrësit për të lumëruar të tërëshenjtën rilindëses Mari, janë gjithmonë të shumtë. Me këtë rast, dua të uroj të gjithë besimtarët e Korçës, gëzuar për shumë vjet”, uroi Kotnani.

Pas meshës besimtarët kanë ndezur qirinj, për shëndetin e të afërmve të tyre dhe kanë uruar njëri-tjetrin për begati dhe paqe.

Festa e Shën Marisë festohet në të gjitha kishat që mbajnë këtë emër, por një nga më të njohurat është ajo e fshatit Boboshticë në Korçë, ku qindra besimtarë vizitojnë kishën me të njëjtin emër, në këtë ditë të shënuar. Ashtu siç është bërë traditë, pas ceremonisë së meshës ta gjithë drekojnë me miqtë edhe familjarët nën hijen e pemëve të manave, të cilat janë një karakteristikë e këtij fshati.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›