Vlorë ; Aksioni, asgjësohen 320 bimë kanabis sativa
Plot 320 bimë narkotike "kanabis sativa", të cilat ishin kultivuar në afërsi të fshatit Penkovë, 20 km larg qytetit, janë asgjësuar një ditë më parë, pas një aksioni të policisë së Vlorës. Një fakt i tillë është konfirmuar pasditen e djeshme nga të dhëna zyrtare të policisë lokale, sipas së cilës, bimët narkotike, me lartësi 1.2 metra, u zbuluan gjatë një operacioni të efektivave të Seksionit të Luftës Kundër Drogës, në Drejtorinë e Policisë të Qarkut". Sipas policisë, ato ishin kultivuar në një parcelë të hapur rishtazi, pranë përroit të fshatit, në një vend të fshehur. Ndërkohë, nga të dhënat policore mësohet gjithashtu se tashmë kanë nisur veprimet procedurale për identifikimin e personave që kanë lidhje me kanabisin e asgjësuar, që përbën edhe rastin e parë për këtë vit. Prej disa javësh efektivat e policisë së Vlorës kanë nisur një operacion që synon identifikimin dhe asgjësimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike në zonat rurale të këtij rrethi. Gjatë këtij operacioni, ku janë përfshirë rreth 100 forca policore, janë evidentuar zonat ku dyshohet se ka tentativa të kultivimit të kanabisit. Ndërkohë, kësaj faze i parapriu puna sensibilizuese, që synonte parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike.