E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, arrestohen 4 policë të rrugores

Katër punonjës të policisë rrugore të Korçës janë arrestuar sot me akuzën për korrupsion. Burimet e policisë bëjnë me dije se janë arrestuar punonjësit e policisë rrugore Jani Baçellari, Enci Bregu, Fatos Hymetllari dhe Gentian Ravolli pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë kishte caktuar ndaj tyre masën e sigurisë arrest në burg pa afat.
Ndaj këtyre punonjësve të policisë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm së bashku me njësinë Task Force pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për disa muaj kanë zhvilluar hetime për veprën penale të korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike.

Këta punonjës policie duke qenë me shërbim në aksin rrugor nacional Korçë-Pogradec, në kohë të ndryshme dhe në mënyrë të përsëritur, ndalonin drejtuesit e automjeteve të cilët kryenin kundravajtje administrative dhe në këmbim të mosndëshkimit administrativ u merrnin sasi të konsiderueshme parash.
Ndërkohë të gjitha rastet e këtij hetimi janë dokumentuar nëpërmjet survejimeve të kryera nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe njësia Task Forcë e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë vazhdojnë hetimet për të vërtetuar implikimin ose përfshirjen e personave të tjerë në këto akte korruptive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›