E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrihen nga burrat dhe pas kërcënimeve tërhiqen në gjykatë

31/05/2010 “Lëshim urdhri mbrojtës”, nuk jep dot zgjidhjen e duhur për gratë

TIRANË- Dhuna brenda familjes e denoncuar në polici e më pas e shoqëruar me një padi gjyqësore mbetet përsëri brenda mureve të shtëpisë. Gjykata ndonëse ka në dorë (në një farë mënyre) reduktimin e kësaj dhune, duke mos i lënë çiftet të bashkuar pas shqyrtimit të padisë, ndihet e pafuqishme. Kjo për disa arsye. Sipas të dhënave të marra pranë Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë dhe vendimeve të studiuara, pas shpalljes së tyre del se pothuaj 90% e rasteve të denoncuara si dhunë në familje dhe kërkesa për “lëshim të urdhrit të mbrojtjes”, tërhiqen. Po kështu është e vërtetuar se në të gjitha rastet, ajo që tërhiqet në gjykatë është gruaja. Të njëjtat burime shprehen qartë se rastet e tërheqjes janë të varura nga shumë faktorë. E para është gjendja ekonomike, e dyta mospasja e një shtëpie për të jetuar dhe e treta opinioni publik. Kjo e fundit ka të bëjë edhe me fshehjen e dhunës që vet gratë e bëjnë kur vijnë para gjykatës. Fillimisht e denoncojnë në polici e më pas tërhiqen në gjykatë. Ka plotë gra të kërcënuara që edhe për hir të opinionit vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtën banesë dhe durojnë dhunën e ushtruar. Femrat janë shumë më të pambrojtura që në momentin kur nuk kanë lirinë e tyre ekonomike dhe atë të fjalës. Këtë gjë e reflektojnë edhe kur vinë para gjykatës. Shifrat tregojnë lëkundje. Nga njëra anë janë gratë që denoncojnë në polici dhe nga ana tjetër janë po gratë që tërhiqen. Brenda muajit maj nga 20 padi të regjistruara me objekt “lëshimin e urdhrit mbrojtës”, nuk ka kaluar asnjë në shqyrtim gjyqësor. Që të gjitha kanë të njëjtin përfundim. Pushuar me kërkesë të vet bashkëshortes. Vetëm në dy raste gjykata është shprehur se procesi nuk mund të vazhdojë për shkak se palët janë pajtuar. Ndërsa në disa raste të tjera që janë më të shumtat, gjykata ka pushuar çështjen, pasi pala paditëse nuk është paraqitur në gjykatë. Sipas gjykatësve që merren me këtë kategori çështjes civile, gratë që kërkojnë mbrojtje, jo vetëm që nuk paraqiten, por nuk lajmërojnë se kanë hequr dorë nga padia. Në këto raste është vet gjykata e detyruar të veprojë. Por ka ndodhur edhe ndryshe. Pasi është pushuar çështja, dhuna ka vazhduar dhe po të njëjtat gra janë paraqitur përsëri për mbrojtje. Frika ekziston edhe tek fëmijët.

Alma Çuka

Gratë me shenja dhune në gjykatë

Është e dhimbshme dhe realitet i përditshëm. Pothuaj çdo ditë në dyert e gjyqtareve që merren me çështjet familjare, paraqiten gra të dhunuara. Shenjat flasin vet. Me hematoma në fytyrë. Në seancën e parë janë të prera në atë që kërkojnë. Duan të largojnë nga shtëpia burrin që i dhunon në sy të fëmijëve. Kjo është faza e parë që gjykata merr në konsideratë kërkesën për mbrojtje. Më tej kalohet në një tjetër kërkesë që ka lidhje me divorcin. Por me sa duket kjo kategori e grave të dhunuara nuk kalojnë menjëherë në divorc. Kërcënimi nga bashkëshorti dhe “frika” e opinionit publik i vret më tepër dhe i detyron të tërhiqen duke pranuar vuajtjen.

Burri që dhunon 500 metra larg gruas

Nëse dhunon gruan apo fëmijët dhe një gjë e tillë vërtetohet në gjykatë, pas ngritjes së padisë, atëherë duhet të marrësh parasysh edhe pasojat. Gjykata me ligj detyron bashkëshortin të qëndrojë larg gruas dhe fëmijëve në një distancë prej 500 metrash. Në rast të kundërt ai duhet të përgjigjet penalisht për shkelje të vendimit gjyqësor. Kjo gjë bëhet deri në momentin kur përfundon faza e divorcit. Por të dhënat tregojnë se rastet e largimit të bashkëshortit nga shtëpia janë të rralla. Një e dhënë tjetër që del nga gjykata është edhe fakti se kërkesa për mbrojtje bëhet më së shumti nga gra që nuk kanë arsimin e duhur dhe për një kohë të gjatë kanë banuar jashtë zonave urbane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›