E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, dhunoi bashkëshorten shtatzënë, 5 vjet burg 34-vjeçarit

KORCE - Vetëm 5 vite burg ka kërkuar Prokuroria e Korçës për Olsi Iljazin, i cili dhunoi barbarisht bashkëshorten e tij shtatzënë, 28-vjeçaren Rudina Iljazi, e cila vetëm një muaj pas ngjarjes humbi dhe fëmijën e saj në muajin e pestë të shtatzënisë.

Seancën e kaluar 34-vjeçari kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, çka është pranuar nga gjykata. Prokuroria e çështjes Irena Çunoti ka lexuar edhe njëherë kronologjinë e ngjarjes, ndërsa ka pohuar se bashkëshorti dhunues akuzohet për dy vepra penale, konkretisht atë të plagosjes së rëndë dhe dhunës në familje.

Akuza, duke i kërkuar gjykatës të marrë në shqyrtim edhe humbjen e foshnjës pas dhunës së ushtruar nga 34-vjeçari, ka kërkuar në bashkim të dënimeve për dy veprat penale 5 vite burg për Olsi Iljazin, dënim ky i cili pritet të ulet ndjeshëm për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Nga ana tjetër mbrojtja ka kërkuar kohë për paraqitjen e konkluzioneve çka solli edhe shtyrjen e seancës. Ngjarja e rëndë u regjistrua në 12 dhjetor të vitit të shkuar ku 34-vjeçari dhunoi me mjete të forta bashkëshorten e tij shtatzënë, dhunës së 34-vjeçarit nuk i shpëtoi dhe vjehrra e tij. Më pas Olsi Iljazi në kushte të një gjendje të rënduar psikologjike tentoi dy here vetëvrasjen. 

(e.skenderasi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›