E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, dyndje klandestinësh të riatdhesuar

Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës janë rishfaqur kthimet në masë të emigrantëve, të cilët pasi shkelin territorin grek nëpërmjet kufirit të gjelbër, kapen nga policia greke. Burimet e policisë kufitare theksojnë se janë të paktën 120 persona që dorëzohen çdo ditë në kufi nga policia greke. Fundjava ka edhe numrin më të madh të të kapurve pa dokumente përtej kufirit. Nga statistikat e mbajtura në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, numri i emigrantëve klandestinë të kthyer në muajin maj është rreth njëmijë. Me nisjen e stinës së ngrohtë, sipas deklarimeve të policisë greke, janë shtuar shumë kalimet ilegale të kufirit. Kjo ka bërë që organizimeve në grup për të kaluar kufirin t‘ju pritet rruga matanë territorit shqiptar, aty ku patrullat e policisë së shtetit fqinj kanë kapur së fundi nga kontrollet në terren emigrantë të shumtë klandestinë. Nga të dhënat e policisë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës mësohet se të gjithë të kthyerit janë persona që nuk kanë mundur të qëndrojnë gjatë në shtetin fqinj pas ikjes në mënyrë ilegale. Ata janë kryesisht të rinj. Policia greke ka kërkuar që edhe nga pala shqiptare të merren masa për të parandaluar deri në fund të verës ikjet masive nga mali.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›