I sëmuri mendor vret veten në tentativën e dytë
Një person me probleme mendore, i cili dy javë më parë u përpoq të digjte veten në praninë e kamerave televizive i ka dhënë fund jetës dje duke u varur në një pemë. Lefter Basha, 44 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gjorm të Kurbinit, është gjetur i varur dje në mëngjes në një plep pranë rrugës së fshatit të tij. Dy javë më parë Basha hipi në një impiant të përpunimit të betonit dhe në praninë e kamerave të televizioneve kërcënoi se do të vetëvritej, pasi besonte se prokuroria do ta akuzonte për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Basha, i cili sipas burimeve policore vuante nga skizofrenia, besonte se gruaja e tij kishte bashkëpunuar me strukturat e shërbimeve sekrete në zhdukjen e biznesmenit Hoxha 13 vjet më parë. Ai druante se tani bashkëshortja do ta implikonte në komplotin imagjinar dhe për këtë arsye kërkonte nga policia arrestimin e saj. Përpara dy javësh policia arriti ta bindte 44-vjeçarin të mos vetëvritej, por nuk u mor asnjë masë që ai të izolohej në ndonjë spital psikiatrik, apo të paktën të mbahej nën mbikëqyrje. Dje në mëngjes, trupi i pajetë i Lefter Bashës është parë nga kalimtarë të rastit, varur në një pemë anës rrugës. Policia e Kurbinit njoftoi dje se ka nisur hetimet për të gjetur motivet e kësaj vetëvrasjeje, megjithëse tashmë ato janë të qarta.