E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rosicat, një festë vetëm për femra

Një rrugë e ngushtë përtej një ure, dy anët e së cilës janë me mana shekullorë, gjelbërimi dhe disa vakëfe të vogla me emra shenjtorësh, mirëpresin një udhëtar, që nga larg merr rrugën për t‘iu afruar më shumë ajrit të pastër, natyrës, tradicionales dhe tavernave të shumta me tabela të mëdha që ftojnë të provosh gatimin specifik.

Ndërtesa prej guri shfaqen njëra pas tjetrës, ndërsa lë pas kombinimet e bukura të vilave të vogla me ngjyra të ngrohta, të zhytura mes gjelbërimit të manave, trungjet e të cilëve të ngulur thellë në disa rrathë prej guri shkojnë shumë me ndërtimet, pas të cilave hapen degët e këtyre pemëve të rralla. Aty nuk gjen si në të tjera vende që shkelen nga turistët tabelën mikpritëse "Wellcome to Boboshtica". Por të gjithë e dinë destinacionin dhe vendin ku ndodhen vetëm nga veçantia e këtij fshati që nuk ka nevojë për tabela për të mirëpritur miqtë e shumtë.

Një shesh i madh në qendër dhe rrugicat që dredhojnë në të gjitha anët, disa me asfalt dhe të tjerat me kalldrëm të vjetër me gurë të vegjël e të zinj. Në mes të sheshit ndodhet një shatërvan, një gjë e rrallë kjo për një fshat shqiptar.

Nga sheshi duket një kishë në majë të kodrës, që qëndron mbi shtëpitë. Njerëzit këtu janë shumë të lidhur me fenë dhe besimin ortodoks. Fshati ka tri kisha të veçanta të pozicionuara në kodra, atje ku dhe është në ndërtim një manastir, që i qëndron përballë kishës tjetër, asaj të Shën Mërisë. Nga brenda kishës, edhe pse është ditë jave, dëgjohen zëra. Aty po meshohet. Gratë, ca të vjetra dhe ca të reja, janë duke dëgjuar të veshura me kostume shumëngjyrëshe të qepura me dorë. Këto janë Rosicat. Ato kanë shkuar në kishë që herët në mëngjes dhe që aty kanë të tjera angazhime dhe misione.

Është një ditë feste në fshatin Boboshticë. Këtë ditë e gjen vetëm një herë në vit, me një atmosferë të tillë, me tinguj muzikorë dhe me shumë surpriza të tjera. Kalimtarë të rastit, që kanë ardhur për të kaluar pak kohë në fshatin e njohur të Korçës, çuditen kur papritur në rrugë shohin disa gra plot energji që janë veshur me kostume tradicionale. Për ta është një gjë e rrallë dhe shpejt nxitojnë ta fiksojnë këtë moment në aparatet e tyre. "Janë Rosicat", shpjegon një nga gratë. Kalimtarët turistë që vijnë nga larg ngrenë supet në shenjë habie, por të kënaqur nga ajo që shohin qëndrojnë për të ndjekur atë që ndodh në fshat. Gratë e veshura me kostume kanë dalë nga kisha e Shën Mërisë. Në lëndinën në kodër ka nisur muzika dhe vallet tradicionale. Kostumet që mbajnë veshur janë të larmishme. Ato tregojnë mënyrën se si visheshin gratë qëmoti, ndërsa prania e komuniteteve të ndryshme kulturore dallohet lehtë nga natyra që kanë kostumet.

"Kjo është një festë sa pagane aq edhe e krishterë", thotë njëra nga gratë. Ajo quhet Elpi Manco dhe ka mbledhur shoqet që një ditë më parë. Gratë kanë lënë punët e shtëpisë dhe kanë dalë të marrin pjesë në këtë festë. Por jo të gjitha janë aty, mes grumbullimit kostumografik. Të tjerat presin trokitjet në dyert e shtëpive të tyre, aty ku kanë bërë gati zahiretë për këtë ditë feste. Ato janë në pritje të Rosicave. Muzika që shoqëron gratë me kostume u afrohet më shumë shtëpive të fshatit, pasi kanë lënë pas kishën dhe manastirin që është zhurmuar nga këngët dhe vallet. Ashtu me kostume tradicionale nisin të kërcejnë në rrugicat me kalldrëm.

Rosicat po u afrohen portave të shtëpive. Këtu ato nisin një këngë, ku njoftojnë se kanë ardhur për të mirëpritur bujarinë e familjeve fshatare. Në vargjet e këngës ka urime, hare dhe më pas nisin kërcimet para oborreve të shtruara me plloça dhe gurë. Zonjat e shtëpive, por edhe burrat dalin shpejt jashtë. Pasi janë bashkuar me Rosicat, gruaja e shtëpisë servir "sheqerkat" dhe llokumet. Mielli, gjalpi, vezët dhe sheqeri janë gati. Ato ua japin Rosicave me vete. Këto do të gatuajnë më vonë me to, ndërsa një drekë e madhe do të mirëpresë banorët, por edhe vizitorët në bujarinë e tryezës së shtruar. Zahiretë do të përdoren të gjitha për gatimin e byrekëve në saç, pogaçeve, petullave dhe bukëvaleve, por edhe ëmbëlsirave. Këto janë të gjitha gatime karakteristike të zonës.

Rrugicat me kalldrëm marrin tatëpjetën dhe bashkë me to edhe gratë që, pasi kanë lënë pas një shtëpi, kalojnë te tjetra e kështu me radhë. Teto Leta, pasi u ka mbushur çantën Rosicave, del në sokak. Ajo duartroket dhe shoqëron gratë që kërcejnë. "Kërceni sa jeni të reja. Unë do t‘ju shoqëroj me duartrokitje, nuk kam fuqi, pa dhe unë do isha futur me ju në valle", qesh e moshuara me "mësallën" e varur përpara, që qëndron mbi gur për të pasur një pamje sa më të mirë të asaj valleje popullore në rrugën para shtëpisë së saj.

"Festa e Rosicave organizohet ditën e tretë pas fluturimit të Krishtit në qiell. Ka lidhje me Shën Mërinë, që mblodhi shoqet për të festuar dhe gatuan e bënë një drekë të madhe. Festa e Rosicave është traditë e fshatit tonë. Ajo shoqërohet me gajde dhe dajre, që janë karakteristike të Rosicave. Shkojmë shtëpi më shtëpi, këndojmë e kërcejmë dhe marrim zahirenë për të gatuar. Kjo është edhe festë pagane, pasi lidhet me fillimin e verës dhe çeljen e luleve e gatuhet vetëm brumë, pasi fshati e ka të lidhur jetën me grurin e blegtorinë dhe sjell bereqet", thotë Marika Lolo.

Rosicat

Festë e krishterë

dhe pagane bashkë

Festa e Rosicave organizohet ditën e tretë pas fluturimit të Krishtit në qiell. Ka lidhje me Shën Mërinë që mblodhi shoqet për të festuar dhe gatuan e bënë një drekë të madhe. Festa e Rosicave është traditë e fshatit. Ajo shoqërohet me gajde dhe dajre, që janë karakteristike të Rosicave. Gratë shkojnë shtëpi më shtëpi, këndojnë e kërcejmë dhe marrin zahirenë për të gatuar. Kjo është edhe festë pagane, pasi lidhet me fillimin e verës dhe çeljen e luleve e gatuhet vetëm brumë, pasi fshati e ka të lidhur jetën me grurin e blegtorinë dhe sjell bereqet.

Mësuesi i fshatit tregon për bashkëjetesën në harmoni të vllahëve dhe sllavëve të Boboshticës

Fshati i Viktor Eftimiut,

me turistë në dimër e në verë

Një urë karakteristike ndan shtëpitë prej guri si kështjella të vogla të vendosura mes rrugicave të ngushta me kalldrëm. Kjo pjesë e fshatit nuk është prekur nga ndërtimet e reja. Aty mbizotëron guri, plloçat, kangjellat dhe kalldrëmi. Oborret janë të zbukuruar me lule. Përballë urës së vjetër gjenden disa gurë të ngritur dhe një shtëpi e vjetër e rrënuar. Te këta gurë, që banorët i kanë lënë ashtu si një kujtim për një krenari të fshatit, sa hedh sytë mbi ta, është e pamundur të mos marrësh një shpjegim. "Këtu ka qenë shtëpia e Viktor Eftimiut. Tani ka vetëm gurë se është rrënuar. Kishim vënë një pllakë këtu me një mbishkrim, që të dallohet që ka qenë shtëpia e shkrimtarit me famë ndërkombëtare, por e paskan hequr. Ne e kemi si krenarinë e fshatit dhe kemi bërë edhe një muze", tregon Sotir Bambulli.

Ai ka shërbyer si mësues në këtë fshat për 20 vjet. Sotiri na tregon shtëpinë e tij, por nuk lë pa përmendur faktin se fshati mbahet nga të ardhurat, nga emigracioni. Ai thotë se historia e emigrimit ka qenë e hershme. Njerëzit kanë ikur gjithnjë nga fshati, por asnjëherë nuk e kanë lënë në mëshirë të fatit, por janë kujdesur për të investuar jo vetëm për veten e tyre në shtëpi, por edhe për rrugët e kishat.

"Tani, në fakt, fshati mbahet me të ardhurat nga emigracioni, kryesisht nga Greqia dhe me punën e madhe që bëhet nga ata që jetojnë ende këtu. Po të vëresh me vëmendje nuk gjen asnjë fshat me kaq shumë vila e taverna dhe të gjitha janë të frekuentuara, pasi aty gatuhet me produktet e zonës dhe ka gatime karakteristike, por edhe njerëz punëtorë të këtij fshati që kanë ditur si ta shfrytëzojnë dhe ta zhvillojnë turizmin, si në dimër ashtu edhe në verë. Shumë njerëz marrin rrugën nga larg vetëm për të provuar në Boboshticë lakrorin me dy petë të pjekur në saç", thotë Sotiri.

Në moshën 78-vjeçare ai nuk harron të tregojë për historitë e shumta të fshatit. Sotiri tregon se Boboshtica ka qenë që herët një fshat i kulturuar. "Në fshatin tonë ka pasur shkolla që para se të hapej shkolla e parë shqipe në Korçë. Ka pasur 120 mësues me emër dhe që këtu kanë dalë njerëz me famë, shkrimtarë e shkencëtarë, njerëz të arsimit dhe të letrave. Por ne kemi një gjë që na dallon dhe na karakterizon. Këtu ka edhe banorë me origjinë sllave, bullgare, por edhe arumunë ose vllahë. Të dyja komunitetet kanë pasur një bashkëjetesë që merret shembull edhe sot e kësaj dite që kanë kaluar shekuj. Ata i ruajnë traditat e veçanta, por edhe gjuhën. Unë flas gjuhën e vjetër bullgare. Si unë ka shumë në fshat që e ruajnë dhe dinë të flasin. Po ashtu edhe vllahët që janë këtu flasin gjuhën e tyre dhe i ruajnë traditat e zakonet që kanë", tregon Sotiri.

Ai shpjegon më tej se fshati u popullua në shekullin e shtatë, kur pati dyndje sllave. Më vonë erdhën nga malet e Pindit dhe u vendosën edhe vllahët, të cilët u mirëpritën dhe deri më sot ka pasur bashkëjetesë shumë të mirë.

Historitë e mësues Sotirit nuk ndalojnë, ndërsa i afrohemi shtëpisë së tij dykatëshe. Ai flet se si një be që u mundua të ndryshonte fenë dhe të asimilonte komunitetet për t‘i kthyer në myslimanë e vranë në afërsi të sheshit dhe e hodhën në një pus. Vendi që edhe sot quhet "bunar".

Tirka, siç njihet në fshat, thotë se ka qenë nga të parët që ka hapur kishën, pasi atij iu shfaq figura e Shën Mërisë, që i tregoi se së shpejti kishat do të ishin të hapura për të gjithë besimtarët. Kjo i ndodhi në fillim të viteve ‘90 dhe ai e kujton gjithnjë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›