E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, karkalecat “pushtojnë” Prespën, banorët: Na rrënuan të mbjellat!

KORCE- Karkalecat kanë pushtuar sërish dhjetra hektarë tokë bujqësore në zonën e Prespës. Sipërfaqe të mëdha më të mbjella ne fshatin Goricë të Madhe janë dëmtuar nga karkaleci, i cili sikurse edhe një vit më parë ka mbuluar së paku 80 hektarë.

Fermerët e zonës deklarojnë se këtë vit kanë reduktuar të mbjellat, por pavarësisht kësaj insekti nuk është duke kursyer asgjë dhe po dëmton krahas kulturave të ndryshme bujqësore edhe vreshtat. Ata kërkojnë marrjen e masave urgjente për eliminimin e karkalecit, i cili po çon drejt varfërisë ekstreme rreth 800 banorë në këtë zonë të cilët kanë si të vetmin burim të ardhurash bujqësinë.
“Ka ardhur karkaleci dhe po rrezikojnë jo vetëm kopshtet, por edhe rrobat që varin gratë në tela për tu tharë. Ne nuk kemi të ardhura të tjera veç bujqësisë, këta na dëmtuan prodhimin”.

“Misër nuk mbollëm, grurë nuk mbollëm, na hengrën rrënjët e domateve që në rrënjë. As në shtëpi nuk futemi dot se duhet të shkundemi se mos i kemi me vete”, thotë një tjetër banor.

Nga ana tjeter kreu i drejtorisë së bujqësisë në Korçë, Adrian Maho, i kontaktuar nga "News 24", deklaron se është ndërhyrë me një preparat kimik në një sipërfaqe prej 10 hektarësh për eleminimin e karkalecit, por më pas janë ndaluar nga fermerët pasi ata i përdorin këto sipërfaqe si kullota. 

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›