E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, këshilltarët bashkiakë të LSI ndryshojnë kursin, "pro" buxhetit

Këshilltarët e LSI- së tërhiqen nga qëndrimi i tyre për të votuar kundër projektbuxhetit të Bashkisë së Korçës. Para mbledhjes së këshillit Bashkiak, njëra nga këshilltarët e këtij grupi ka deklaruar votën "pro" projektbuxhetit nga anëtarët e LSI- së, duke ndryshuar totalisht kursin e tyre nga disa ditë më parë, kur kanë bojkotuar mbledhjen e këshillit bashkiak me pretendimin se nuk mund të votohet një buxhet që nuk i shërben Korçës. Ndërkaq, mbledhja e këshillit bashkiak gjatë ditës djeshme ka pasur sërish debate të ashpra mes të majtëve dhe të djathtëve. Këtë herë jo për buxhetin, i cili do të hyjë në votim gjatë javës së ardhshme, por për taksat vendore dhe për të ardhurat e vitit 2008. Argumenti që ka nxitur të djathtët të largohen sërish nga mbledhja duke e prishur atë ka qenë paketa fiskale që lidhet me rritjen e të ardhurave për vitin 2009 nga taksat vendore, ndërsa ata kanë shpjeguar se kjo rritje është e pakuptueshme sipas tabelës që kanë paraqitur specialistë të fushës në bashkinë juglindore. Demokratët kanë shprehur qartë votën e tyre kundër, ndërsa sipas tyre specialistët e bashkisë nuk e bëjnë të qartë se si do të rriten të ardhurat nga taksat vendore gjatë vitit 2009, kur në të nuk është saktësuar numri i bizneseve, i mjeteve të licencuara dhe gjithçka tjetër që lidhet me këtë paketë fiskale. Madje, ata kanë pohuar se nuk duhet të lejohen të rriten të ardhurat duke rritur taksat vendore në dëm të xhepit të qytetarit korçar, pasi kjo skemë nuk mund të funksionojë kështu. Pas këtyre debateve të ashpra demokratët sërish kanë lënë sallën duke u tërhequr, ndërsa nuk është bërë e mundur që të votohet për paketën fiskale të 2009 për arsye se nuk ka arritur korumi i nevojshëm për të votuar edhe për faktin se mungonin edhe disa këshilltarë socialistë në këtë mbledhje. Duket se debatet do të jenë po kaq të forta gjatë javës së ardhshme, ndërsa demokratë kanë paralajmëruar se do të insistojnë në kërkesat e tyre që lidhen me analizën e investimeve të vitit të kaluar, por dhe me ndryshimin e kësaj pakete fiskale mjaft të rëndësishme për ecurinë e njësisë vendore. Gjatë fjalës së saj, prefektja e Korçës, Elfrida Zefi njëherësh këshilltare e grupit demokrat ka theksuar se bashkia e qytetit duhet të saktësojë mënyrën se si do të realizohen të ardhurat nga taksat vendore, pasi rrezikojnë që ato të jenë më të larta dhe do të godasin në kurriz të qytetarëve të Korçës.

Email This Klikime: 7

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›