E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna e Golemit kundërshton projektin e rrugës Plepa-Kavajë, bllokohen punimet

Komuna e Golemit, letër urgjente kryeministrit Berisha  
Punimet në aksin Plepa-Rrogozhinë për zgjerimin e "by-pas"-it Plepa-Kavajë-Rrogozhinë kanë ndaluar, pasi komuna e Golemit i ka kundërshtuar ato për shkak se kjo rrugë nuk ka një projekt të qartë për këto punime. Vërejtjet e shumta në lidhje me projektin që ishte hartuar nga Ministria e Transporteve janë evidentuar që në fillim nga komuna e Golemit. Kryetari i kësaj komune, Agron Agalliu bëri të ditur bllokimin e punimeve për shkak se po rishikohet projekti që filloi të zbatohej në ditët e para të janarit. Disa ditë më parë, drejtues të komunës kanë zhvilluar takime me drejtorinë e përgjithshme të rrugëve, e cila është investitorja për zgjerimin e rrugës. Nga ana tjetër, komuna e Golemit ka dërguar një letër urgjente në adresë të kryeministrit Sali Berisha për problemin e rrugës Plepa-Kavajë-Rrogozhinë dhe investimit që po kryhet në këtë rrugë. Komuna në fjalë ka pasur mjaft rezerva në drejtim të projektit që po aplikohet për zgjerimin e  kësaj rruge si dhe me atë se çfarë është parashikuar në zonën e Golemit. Konkretisht, në rrugën që ndërpret autostradën dhe që futet në fshatin Golem, projekti i Ministrisë së Transporteve nuk ka parashikuar asgjë, duke e lënë atë në gjendjen e mëparshme. Argumenti që jepet për ndërtimin e një nënkalimi të sigurt dhe që t'i rezistojë zhvillimit ekonomik të zonës, është pjesa e plazhit që gjendet fare pranë qendrës së komunës dhe destinacioni që ka kjo zonë për zhvillimin e mëtejshëm me shtimin e popullsisë, qarkullimit dhe të numrit të mjeteve. Burime nga komuna e Golemit kanë bërë të ditur se kryeministri ka ngarkuar Ministrinë e Transporteve për të parë mundësinë e ndryshimit të projektit.
Problemet e projektit
Ky projekt që duket se ka shumë probleme, nuk kishte parashikuar asnjë zgjidhje për të gjitha problemet e ngritura nga komuna e Golemit. Drejtuesit e komunës kanë argumentuar se vetëm për shkak se nuk ekziston një nënkalim ose mbikalim, në kryqëzimin e Golemit ka pasur shumë aksidente të rënda vitin e kaluar, duke regjistruar 10 persona të vdekur. Çështja e këtij investimi është diskutuar edhe në mbledhjen e këshillit të komunës, ku këshilltarët kanë kërkuar të dinë nëse janë marrë parasysh studimet urbanistike të zonës që janë bërë nga komuna. Drejtuesit e urbanistikës në këtë komunë kanë shprehur indinjatën për projektin dhe mangësitë e tij, duke thënë se asgjë nuk është marrë parasysh nga studimet e tyre dhe se projekti aktual i Ministrisë së Transporteve e ndan përfundimisht zonën turistike me fshatin e Golemit, pasi nuk është parashikuar nënkalimi apo rrugë paralele në krahun e fshatrave. Kjo gjë e dëmton mjaft rëndë zonën turistike dhe fshatin, pasi bllokohet lëvizja e lirë e mjeteve me këtë projekt. Komuna e Golemit ka kërkuar që të ndërtohet një nënkalim pikërisht në vendin ku hyjnë dhe dalin mjetet drejt qendrës së komunës. Komuna e Golemit nuk është i pari institucion që ka shqetësime për projektin e kësaj rruge, pasi vetëm 10 ditë më parë edhe drejtoria e hekurudhës dhe inspektoriati hekurudhor kanë kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të punës. Shkak janë bërë gërmimet që firmat ndërtuese kanë bërë që në ditët e para të punës, deri në afërsi të bazamentit të trasesë. Konstatimet e dëmit të shkaktuar janë bërë nga vetë drejtuesit e hekurudhës dhe inspektoriatit. Firmat zbatuese të punimeve kanë gërmuar deri në afërsi të trasesë dhe nuk e kanë shoqëruar këtë proces me ndërtimin e murit mbajtës. Për këtë arsye pothuajse i gjithë perigoni hekurudhor në këtë pjesë, nga Plepat deri tek Përroi i Agait, është dëmtuar rëndë.

Email This Klikime: 11

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›