E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, mbërrin i vdekur në spital një foshnjë 8 muajshe, policia nis hetimet

Vdekja e një fëmije nga fshati Goskovë në rrethin e Korçës ka nxitur ngritjen e një grupi të posaçëm hetimi në policinë e Korçës, pas informacioneve që këta të fundit kanë marrë nga Pediatriku i juglindjes. Duke iu referuar burimeve të policisë lokale mësohet se një ditë më parë ka mbërritur i vdekur në spital foshnja e seksit mashkull me inicilet F.S. Fëmija prej

disa ditësh ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, teksa prindërit e tij kanë vendosur ta sjellin atë vetëm në momentet kur gjendja e tij është rënduar tej mase. Gjatë transportit për në spitalin e Korçës fëmija ka vdekur, duke mbërritur në të njëjtën kohë pa jetë në spitalin ku trajtohen fëmijët në këtë qytet. Pas kësaj kufoma iu është kthyer prindërve, teksa këta të fundit kanë treguar për bluzat e bardha se ai ka shfaqur simptomat e gripit. Neglizhenca e këtyre të fundit ka çuar në fundin tragjik të tij, ndërkohë që burime të spitalit rajonal kanë bërë të ditur për gazetën se disa muaj më parë foshnja ka qenë i shtruar pranë këtij spitali ku janë shfaqur probleme në mirërritjen nga ana e nënës që e ka sjellë në jetë. Policia lokale, e cila ka nisur dhe hetimet për të zbardhur të plotë vdekjen e fëmijës bën të ditur se në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa mendohet që vdekja të ketë ardhur nga shkaqe natyrale. Gjithsesi pas përfundimit të autopsisë dhe përgjigjeve përfundimtare të raportit mjeko-ligjor, do të ndërtohet dhe puna e grupit hetimor. Ndërkaq, dyshohet që vetë prindërit e fëmijës të jenë shkaktarë të vdekjes së tij, kjo pasi kujdesi ndaj foshnjës ka qenë minimal kjo dhe për vetë kushtet ekonomike në të cilat jetojnë por dhe të formimit të prindërve. Dyshohet që vdekja të ketë ardhur nga neglizhenca e prindërve dhe në mënyrë të veçantë e nënës së tij e cila nuk ka ditur të kujdeset për shëndetin dhe jetën e krijesës që ka sjellë në jetë gjatë muajit korrik të vitit të kaluar.

I. Frasheri

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›