KE: Keni probleme me të drejtat e njeriut

Raporti / Komisioni Europian kundër dhunës dhe diskriminimit, thekson indiferencën e politikanëve
Raporti tregon për një gjendje të mjerueshme të kushteve, në të cilat jeton komuniteti rom
"Shqipëria vazhdon të ketë probleme me respektimin e të drejtave të njeriut", ky është përfundimi që ka publikuar dje Këshilli i Europës, në një raport për racizmin në vendin tonë. Raporti ka vlerësuar disa zhvillime pozitive në vendin tonë, por thekson se ende ka shumë për të bërë në këtë drejtim.
Në vçanti, kritikat i adresohen komuniteti rom dhe atij egjiptian, si dhe kushteve në të cilat ata jetojnë, raporti thekson se ndërgjegjësimi mbi diskriminimin mbetet në nivel të ulët.
Duke qenë se të dhënat për hartimin e raportit janë marrë deri më 3 korrik 2009-të, në shumë pika të tij theksohet nevoja për hartimin e një ligji kundër diskriminimit. Kujtojmë se ligjin për "Për mbrojtjen nga diskriminimi" u miratua nga parlamenti shqiptar më 5 shkurt 2010-të.
Ashtu si edhe në raportin paraardhës, Komisioni Europian kundër dhunës dhe diskriminimit ka vërejtur po të njëjtat probleme në vendin tonë. Kushte jo të mira për komunitetet, mungesë strehimi, mangësi në arsimimin dhe regjistrimin e popullatës rome.
Strehimi
Në raportin mëparshëm të publikuar më 14 qershor 2005-të, KE i kërkonte qeverisë të rregullonte situatat e paligjshme për strehim, në mënyrë që të ndihmonte personat e pastrehë. Po kështu rekomandonte që romët dhe egjiptianët e dëbuar nga shtëpitë e tyre të kishin të njëjtën mundësi të strehimit alternativ dhe të kredive të strehimit njësoj si qytetarët e tjerë shqiptarë.
Në raportin e publikuar dje, KE thekson se kushtet e jetesës për shumë familje rome janë të tmerrshme, pasi ata jetojnë në shtëpi të shkatërruara, pa mundësi të pajisjes më ujë të pijshëm dhe janë të vendosura kryesisht në zonat e jashtme të qyteteve ose në zona të izoluara.
Mungesa e investimeve, madje edhe e interesit të pushtetit vendor, pavarësisht se ky i fundit është përgjegjës për zbatimin e projekteve konkrete dhe dështimin e tyre pa marrë parasysh nevojat specifike të familjeve përgjegjëse, pengon përparimin e mëtejshëm në këto çështje.
KE i tërheq vëmendjen autoriteteve shqiptare për faktin se mundësia për strehim të përshtatshëm është një aspekt kyç në përmirësimin e jetesës për romët, jo vetëm si një e drejtë themelore e tyre, por edhe për faktin se strehimi është i lidhur drejtpërdrejtë edhe me të drejta të tjera sociale si e drejta për shëndet.
Arsimi
Autoritetet shqiptare nuk mbledhin në mënyrë sistematike të dhëna mbi situatën e arsimimit të fëmijëve dhe nuk kanë të dhëna të zbërthyera sipas grupeve etnike. Në këtë pikë raporti i referohet një studimi të bërë në vitin 2007-të, ku thuhet se rreth 13% e fëmijëve romë mes moshës 3 dhe 5 vjç ndjekin arsimin parashkollor, dhe 46% e fëmijëve të moshës 6-16 vjç vijojnë shkollën.
Vç këtyre janë cituar edhe raste të diskriminimit të drejtpërdrejtë racial në shkollë. Mbi 90% e nxënësve romë kanë thënë se ata kanë qenë shënjestër e ofendimeve raciste në shkolla. Rreth gjysma e tyre raportojnë se janë dënuar më shpesh se të tjerët dhe se mësuesit i thërrasin rrallë në klasë.
Punësimi
Sipas të dhënave, shkalla e përgjithshme e papunësisë në Shqipëri është 13,1%, por kjo shifër është akoma më e lartë kur bëhet fjalë për popullsinë rome. Prej 9 mijë personave që janë regjistruar si punëkërkues, rreth 3 mijë rezultojnë të jenë romë. Raporti thotë se autoritetet shqiptare kanë pohuar se ende nuk kanë politika të vçanta për të luftuar format e mundshme të diskriminimit që mund të pësojnë romët në vendin e punës.
Shëndeti
Për sa i përket fushës së shëndetësisë, statistikat janë të pakta dhe të varfra, megjithatë të mjaftueshme për të pohuar se komuniteti rom është në një situatë jo të mirë.
Në raport thuhet se vetëm 25 % e romëve deklarojnë se kanë para të mjaftueshme për të blerë barna dhe vetëm 39% e popullatës ka ndonjë formë të mbulimit shëndetësor. Po kështu një pjesë e mirë e fëmijëve rom nuk janë vaksinuar dhe kjo është një pasojë e mosregjistrimit të tyre në regjistrat civilë.
Dhuna raciste, nuk raportohet
Në lidhje me dhunën raciste në Shqipëri, KE e ka të vështirë të formojë një ide të qartë, për shkak të mungesës së statistikave gjithëpërfshirëse mbi zbatimin e dispozitave përkatëse të Kodit Penal.
Në mungesë të një informacioni të tillë nuk ka baza të besueshme për të bërë një vlerësim të shpeshtësisë së incidenteve të dhunës raciale. Megjithatë, raporti thotë se ndonëse aktet e dhunës raciste raportohen rrallë, kjo nuk do të thotë se ato nuk ndiqen.
Shpesh ndodh që viktima të hezitojë të paraqiten ose të raportojnë aspekte raciste të një vepre penale, sepse ndihen të turpëruar ose mendojnë se nuk do të merret ndonjë veprim serioz për këtë kërkesë.