Korcë, qytetarët ende nuk pajisen me karta identiteti
KORCE- Kartat e identitetit janë kthyer në një problem në qytetin e Korçës. Ndonëse proçesi ka nisur nga data 13 shkurt nuk është prodhuar ende asnjë kartë nga firma nënkontraktore e cila ka marrë në dorë drejtimin e këtij proçesi në Korçë. Qytetarët ankohen për radhët e gjata, por dhe për kuponat që marrin pa datën se kur duhet të paraqiten në ambientet e gjëndjes civile në këtë qytet për të marë kartën e identitetit, ndërsa dhe emigrantët janë të shqetësuar për vonesat. Në bashkinë e Korçës janë të painformuar për atë se çfarë ndodh brenda ambienteve të lëshuara prej këtij insitucioni .Por përveç kësaj duket se defektet teknike janë ulur këmbëkryq, ndërsa rrjeti bllokohet për më shumë se dy orë në vazhdimësi duke zgjatur kohën dhe pritjen e qytetarëve. Mikel Llogori Drejtori i Informacoinit pranë kësaj bashkie ka bërë të ditur për kameran tonë se proçesi i kartave të identitetit është i shoqëruar me probleme të shumta, ndërsa ajo që është më e pajustifikuara sipas tij është se ndonëse kanë kaluar dy javë nuk është prodhuar asnjë kartë. Sipas tij firma nënkontraktuese që punon në Korçë ka probleme me rrjetin kompjuterik duke patur bllokime të tij çdo dy orë, që do të thotë vonesë edhe më të madhe për proçesin.
(NEWS24/BalkanWeb)