E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, rrjeti problematik i kompjuterëve vonon procesin e kartave të identitetit

Dy javë aplikime, asnjë letërnjoftim i prodhuar
Kartat e identitetit janë kthyer në një problem në qytetin e Korçës. Ndonëse procesi ka nisur nga data 13 shkurt, nuk është prodhuar ende asnjë kartë nga firma nënkontraktore Aleat, e cila ka marrë në dorë drejtimin e këtij procesi në Korçë. Qytetarët ankohen për radhët e gjata, por dhe për kuponët që marrin pa datën se kur duhet të paraqiten në ambientet e gjendjes civile në këtë qytet për të marrë kartën e identitetit, ndërsa dhe emigrantët janë të shqetësuar për kohën e gjatë të vonesës, e cila nuk ka afat. Në Bashkinë e Korçës janë të painformuar për atë se çfarë ndodh brenda ambienteve të lëshuara prej këtij institucioni për firmën Aleat, e cila nuk njofton për numrin e aplikimeve ditore etj. Por përveç kësaj, duket se defektet teknike janë ulur këmbëkryq, ndërsa rrjeti bllokohet për më shumë se dy orë në vazhdimësi duke zgjatur kohën dhe pritjen e qytetarëve. Bashkia e qytetit, e cila synon ti vijë në ndihmë këtij procesi, kërkon të punohet të paktën edhe ditën e shtunë për të shmangur radhët, ndërsa nuk dihet se kur do të prodhohet karta për qytetarin e parë në Korçë. Ndërkaq, në mënyrë verbale aplikantëve iu është thënë se duhet të paraqiten në këtë zyrë pas një muaji për të tërhequr kartën. Duket se problemet e këtyre kartave janë të shumta, ndërsa emigrantëve iu është kërkuar që të paraqiten vetë sërish në ambientet e gjendjes civile për të tërhequr kartën, gjë që praktikisht është e pamundur për ta. Ankesat janë të shumta, ndërsa kryesisht aplikantët janë të moshave të mëdha. Ganime Kodra, 63 vjeçare, thotë për gazetën se për dy ditë i është dashur të presë, por nuk ka mbaruar punë. Frika se mos i pritet pensioni apo dhe shërbime të tjera kanë nxitur të moshuarën të jetë e rregullt duke kryer fillimisht pagesën pranë filialit të postës në Korçë dhe më pas të paraqitet në ambientin e posaçëm të gjendjes civile vetëm për këtë proces për të kryer procedurat e tjera. Si e moshuara shqetësimin gati e kanë të njëjtë të gjithë. Agron Bega, thotë se ka shkuar që në orët e para të mëngjesit të djeshëm për të zgjidhur punë, ndërsa gjatë gjithë kohës ka pasur probleme në sistemin e kompjuterave në zyrë, duke rritur dhe më shumë fluksin e qytetarëve. Por ajo që duket se është më e çuditshme, është fakti se pse mbahet larg këtij procesi bashkia e qytetit. Mikel Llogori, Drejtori i Informacionit pranë kësaj bashkie ka bërë të ditur për gazetën se procesi i kartave të identitetit është i shoqëruar me probleme të shumta, ndërsa ajo që është më e pajustifikuara sipas tij ka të bëjë me faktin se ndonëse kanë kaluar dy javë nuk është prodhuar asnjë kartë. Sipas tij, firma nënkontraktuese që punon në Korçë ka probleme me rrjetin kompjuterik duke pasur bllokime të tij çdo dy orë, që do të thotë vonesë edhe më të madhe për procesin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›