E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavijoni i Kulturës Rome, Historia, kultura dhe tradita vjen në foto

Në Muzeun Historik Kombëtar hapet ekspozita, e cila përmban materiale për kulturën rome
Në Muzeun Historik Kombëtar dje u çel ekspozita Pavijoni i Kulturës Rome. Ky pavijon i ngritur në kuadër të integrimit të minoriteteve do të sjellë për të gjithë vizitorët e tij për disa ditë një pjesë të kulturës së këtij minoriteti, i cili u vendos në Shqipëri rreth 600 vjet më parë. Ekspozita përmban shumë materiale mbi kulturën e kësaj popullsie, e cila me anë të fotove është ekspozuar në mjediset e këtij pavijoni. Gjithçka për këtë ekspozitë filloi me një aktivitet të thjeshtë. Gratë rome qepën veshje tradicionale për të mbrojtur dhe promovuar kulturën e tyre. Gratë në bashkëpunuan me shoqatën Roma Active Albania negociuan me Muzeun Historik Kombëtar që kultura e tyre të ekspozohej në një kënd të veçantë brenda ambienteve të muzeut. Sipas organizatorëve kultura rome në muze do të thotë legjiminitet dhe inkurajim për romët që të mos kenë turp të tregojë atë se çfarë janë nga frika se mos paragjykohen, do të thotë pranim, vlerësim dhe integrim në trashëgiminë kulturore shqiptare si dhe shmangie nga përjashtimi shoqëror. Të shpërndarë në qytete të ndryshme të vendit tonë, gratë rome punuan dhe qëndisën me duart e tyre veshjet tradicionale të këtij minoriteti. Në përurimin e Pavijonit të Kulturës Rome ishin dje të pranishëm Presidenti i Republikës Bamir Topi, zv. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Kastriot Muka, Kryetari i shoqatës së romëve Adriatik Hasantari dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë. Presidenti Topi u shpreh se: Hapja e këtij pavijoni bën të mundur evidentimin e vlerave të kulturës rome si një komunitet që ka bashkëshoqëruar historinë e kombit tonë Unë dëshiroj që të vlerësoj këtë iniciativë, sepse duke u bërë pjesë e Muzeut Kombëtar edhe Pavijoni me kulturën rome, do të thotë që një pjesë integrale e interesave të këtij kombi, pjesë integrale e historisë së këtij kombi dhe padiskutim që, e gjithë politika e shtetit shqiptar, politikat qeveritare, politikat që vijnë nga një konsensus i gjerë midis partive në parlament janë të interesuara që komuniteti rom jo vetëm të shpalosë vlerat e traditës së vet, që natyrisht është një traditë e pasur, por të jetë pjesë integrale e të gjithë përfaqësimit në të gjitha nivelet. Këtë e kemi thënë vazhdimisht kur jemi marrë me politikë aktive në fushatë elektorale.  Sot e them si President i Republikës jo thjesht me inkurajimin që ju të jeni më të edukuar në arsim, të jeni më të formuar, por të jeni edhe pjesëmarrës në të gjithë jetën politike dhe institucionale të Shqipërisë. Më tej ai theksoi se minoriteti rom është pjesë e integrimit të vendit. Ju duhet të ndërtoni urat e bashkëpunimit dhe të mbroni historinë dhe vlerat tuaja brenda identitetit kombëtarë, u shpreh ai. Pavijoni i kulturës rome u cilësua nga zv/ministri Muka si një promovim, vlerësim dhe integrim në jetën kulturore shqiptare. Nisma për ngritjen e këtij pavijoni është marrë nga gratë rome të Qendrës së Nënave Mjelma, e drejtuar nga Irena Selimaj, e cila u shpreh se jemi shumë krenare, që dhe tradita dhe kultura jonë ekspozohet sot në Muzeun Kombëtar. Punimet fotografitë dhe instrumentet muzikorë të ekspozuar në këtë pavijon u tregojnë vizitorëve pjesë nga jeta e këtij komuniteti, i cili pavarësisht vështirësive që ka hasur, ka arritur të ruaj identitetin, traditat, zakonet dhe gjuhën e tyre. Në fotografitë e vendosura në këndë të ndryshme të pavijonit tregohen momente nga jeta e tyre që siç thonë romët mbizotëron harmonia dhe gëzimi.
 *******************
Pak histori...
Romët një popull i ardhur nga orienti i largët, historia tregon se janë shkëputur nga India,duke emigruar për shumë vite. Ata u vendosën në shumë shtete të ndryshme. Por pavarësisht nga vështirësitë ata arritën ta ruanin identitetin, traditat dhe zakonet, kulturën dhe gjuhën, të cilat vazhdojnë që ti ruajnë akoma edhe sot. Kultura rome ka shumë ngjyra orientale, kjo nga origjina e tyre indiane. Simbolet rome u vendosën në Kongresin e Parë Rom, i cili u zhvillua në Londër në prill të vitit 1971. Komuniteti rom në tërë botën ka himnin dhe flamurin e vet. Për sa i përket ditëve festive do të veçonim dy data të veçanta: 6 maj Dita e Shën Gjergjit dhe 8 prill Dita Ndërkombëtare e Romëve

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›