Korçë, skandali i pikturave shkon në gjykatë

Autoportreti Piktura më e vyer mes tablove të vjedhura te Vangjush Mios
KORÇE – Skandali i pikturave në Korçë mbyllet me dy persona të akuzuar për shpërdorim detyre. Dy përgjegjësit për fondin e pikturave me vlerë, mes tyre dhe ato të piktorit të famshëm Vangjush Mio, do të shkojnë në gjyq, ndërsa mbetet mister fati i 56 veprave të zhdukura. Sipas Prokurorisë së Korçës, Vladimir Topi, drejtor i qendrës kulturore “Vangjush Mio” dhe Sotiraq Xega, përgjegjës i fondit të galerisë, janë dy personat përgjegjës për zhdukjen e këtyre pikturave. Pas disa muajsh hetime, burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se pritet që së shpejti dosja t’i çohet Gjykatës dhe deri në ditët e para të dhjetorit të nisë shqyrtimi i çështjes. Duket se organi i akuzës ka hetuar pa mundur të gjejë destinacionin e asnjë prej këtyre veprave të artit, të cilat sipas të dhënave janë të vlerave të mëdha monetare. Pas skandalit të vjedhjes së pikturave në galerinë e arteve “Guri Madhi” në Korçë, Gjykata e këtij qyteti ka dhënë masat e sigurisë për 2 prej të akuzuarve kryesorë. Trupi gjykues ka vendosur të lërë në arrest shtëpie drejtorin e qendrës kulturore, “Vangjush Mio”, Vladimir Topin, si edhe ish- përgjegjësin e galerisë, shtetasin Sotiraq Xega, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ndërkaq, Policia konfirmoi se vetëm 27 punimet e Piktorit të Popullit “Vangjush Mio” janë vepra arti, nga 56 të zhdukura që rezultuan pas kryerjes së inventarit dorëzues. Blutë e qytetit juglindor bënë të ditur se konstatimi u bë gjatë atyre ditëve nga dy ekspertët e artit, Roland Karanxha dhe Vangjo Vasili, të cilët kanë verifikuar teknikisht pikturat në bazë të kartelave përkatëse dhe kanë dalë në përfundimin se vetëm punimet e Mios janë vepra arti, ndërsa veprat e piktorëve të tjerë janë punime të thjeshta dhe nuk i përkasin kësaj kategorie, përpos faktit se janë pjesë e fondit të Galerisë së Arteve. Hetimet për zbardhjen e skandalit të vjedhjes së veprave të artit nga galeria e arteve “Guri Madhi” në Korçë u zhvilluan intensivisht në dy pista, atë të “vjedhjes” dhe “shpërdorimit të detyrës”, ku për këtë të fundit disponohen prova dhe dëshmi të mjaftueshme, ndërsa u hasën vështirësi për të vërtetuar akuzën e “vjedhjes”. Vjedhja e tyre nuk është bërë me dhunë, por në të vërtetë këto piktura janë zhdukur nga persona që kanë pasur akses në ambientet e fondit dhe që janë njohës të vlerës reale të këtyre veprave të artit. dh.d