E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori, padi penale Ina Ramës: Shpërfilli gjykatat

Kryeprokurorja Ina rama

Ish-prokurori i Kurbinit, Badhyl Shehu, padit në Prokurorinë e Tiranës për “shpërdorim detyre” kryeprokuroren Ina Rama. Pasi ka fituar të drejtën e kthimit në punë me vendime të formës së prerë deri në Gjykatën Kushtetuese, ish-prokurori i Kurbinit i është drejtuar organit të hetimit të drejtuar nga Ina Rama, duke e paditur vetë atë për shpërdorim detyre. Ky është kallëzimi i dytë penal që regjistrohet në Prokurorinë e Tiranës ndaj Ina Ramës, pas padisë së bërë nga prokurori tjetër, Tom Dedaj. Prokurori Bardhyl Shehu shprehet se me dekretin e datës 2 shtator 2009 është shkarkuar nga detyra, edhe pse propozimi ishte votuar nga vetëm dy anëtarë të Këshillit të Prokurorisë, ndërsa edhe vetë grupi i inspektimit që kishte bërë kontrollin në Prokurorinë e Laçit ka qenë kundër masës së shkarkimit. Prokurori Bardhyl Shehu thekson se kryeprokurorja Ina Rama ka shkelur ligjin, pasi nuk e ka njoftuar paraprakisht për procedimin, siç e parashikon ligji. Shehu thekson se një tjetër shkelje është dërgimi në adresë të tij i katër akteve të Prokurorisë së Përgjithshme, tri nga të cilat mbajnë datë të njëjtë, 15 maj 2009, konkretisht urdhër “Për pezullimin nga detyra”, urdhër “Për fillimin e procedimit disiplinor”; “relacion i drejtorit të Drejtorisë së Inspektimit” dhe “akti i kontrollit të grupit të inspektimit, datë 29.1.2009″. Prokurori Shehu thekson se është shkelur ligji edhe me mbajtjen e tij të pezulluar për katër muaj, derisa ka dalë dekreti i shkarkimit, kur sipas akteve ligjore, pezullimi duhet të zgjasë vetëm 30 ditë. Më tej në kallëzim thuhet se Ina Rama ka shkelur ligjin që kërkon që vendimi ndëshkues të merret brenda 15 ditësh nga paraqitja e prokurorit në Këshill, edhe pse prokurori Shehu është paraqitur në datën 19 qershor 2009, ndërsa masa disiplinore është marrë më 3 gusht 2009. Padia vijon me faktin se Prokuroria i ka hequr nga dosja që dërgoi në Presidencë kundërshtimet dhe shpjegimet e dhëna nga prokurori në lidhje me procedimin ndaj tij. Prokurori thekson se Ina Rama ka shkelur ligjin, duke i ndërprerë pagën nga data 1 qershor 2009 deri në datën 2 shtator 2009, duke e lënë atë dhe familjen e tij pa asnjë të ardhur, jashtë çdo kriteri ligjor. Në kallëzim citohet vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, ku thuhet se “shkeljet disiplinore të prokurorit si dhe masat disiplinore respektive, janë të përcaktuara qartë në ligj dhe shkarkimi i prokurorit Bardhyl Shehu është bërë për shkelje, të cilat nuk përbëjnë shkak për shkarkim”. Më 18 mars 2010, Gjykata e Apelit ka vendosur kthimin e Bardhyl Shehut në detyrë, Prokuroria ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, dhe kjo e fundit, më datë 3 dhjetor 2010, ka lënë në fuqi kthimin në punë të prokurorit. Kthimi në detyrë është lënë në fuqi në Gjykatën Kushtetuese në datën 23 qershor 2011. Vendimi për kthimin në punë të prokurorit është refuzuar nga Prokuroria e Përgjithshme më 28 prill 2010, me pretendimin se verdikti nuk është i formës së prerë. Pas interpretimit nga Gjykata Kushtetuese se vendimi ishte në fakt i formës së prerë, prokurori thekson se iu drejtua organit qendror të akuzës në dhjetor 2010, por nuk mori asnjë përgjigje. Krahas kësaj, ai iu drejtua Përmbarimit për zbatimin e vendimit të Gjykatës. Rreth 21 muaj pas dhënies së vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, Prokuroria e Përgjithshme ka vënë në dijeni Përmbarimin se ishte në pamundësi të kthimit në punë të prokurorit Bardhyl Shehu, pasi vendet në organikë ishin të zëna. Sipas prokurorit, një pretendim i tillë është  i rremë dhe i pabazë, pasi gjatë kësaj kohe që refuzonte zbatimin e vendimeve të gjykatave, kryeprokurorja Ina Rama ka propozuar për dekret dhe ka emëruar plot 28 prokurorë në rrethe të ndryshme të vendit.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›