Korçë, vdekja në maternitet, Urdhri i Mjekut bën analizën

Viktima, Fatbardha Aliko
Përfaqësues të Urdhrit të Mjekut nga Tirana dhe Korça kanë marrë në analizë rastin e vdekjes së 49-vjeçares Fatbardha Aliko, ngjarje që ndodhi pak ditë më parë në maternitetin e Korçës.Kjo analizë u krye për të shqyrtuar mbi bazën e verifikimeve përgjegjësinë e bluzave të bardha të këtij materniteti. Dine Abazi, president i përgjithshëm i Urdhrit të Mjekut dhe Robert Tomço, president i Urdhrit të Mjekut për Korçën, kanë dalë edhe me deklaratë për këtë çështje ende të diskutuar. Sipas tyre, mjekët nën hetim për rastin e vdekjes së 49-vjeçares do të vazhdojnë detyrën, përderisa nuk ka ende konkluzion të analizave dhe të hetimeve. Në deklaratën e tyre, ata thanë se pritet konkluzioni i ekspertizës mjeko-ligjore, nga i cili do të përcaktohet nëse ka pasur një gabim në mjekim dhe vdekja ka ardhur si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm apo nëse pacientja ka vdekur nga patologjia e rëndë. Robert Tomço u shpreh se pavarësisht faktit që mjekët e maternitetit janë çuar për ndjekje penale dhe për këtë rast vendoset një pezullim provizor, kjo gjë nuk ka ndodhur si masë ndëshkimore ndaj mjekëve që akuzohen nga familjarët e pacientes, për faktin se të dhënat e kartelës mjekësore nuk nxjerrin fajtorë mjekët deri në këto momente. Sipas tij, operacioni për heqjen e mitrës me kancer të 49-vjeçares ka qenë i domosdoshëm, pasi gjatë fibromiomës shkaktohen nerkrotikë ose qeliza të vdekura. Kemi parë përshkrimin e mjekut para operacionit, pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe ecurinë në vijimësi të pacientes. Ne konstatuam se ditën e parë pacientja ka pasur temperaturë 37.7 dhe më tej është trajtuar sipas terapisë së nevojshme me antibiotikë dhe antikoagolantë kundër mpiksjes së gjakut. Risku i krijimit të koagolave ekziston në rastet e operacioneve të mëdha, por nga ana e mjekëve janë marrë masa parandaluese kundër koagulimit të gjakut, u shpreh Tomço. Ai shtoi se nisur nga verifikimet e kartelës së pacientes, trajtimi për 7-8 ditë i saj ka qenë brenda rregullave dhe çdo gjë sipas kartelës mjekësore ka qenë e rregullt. Në rast se përgjigjja shkencore e analizave të autopsisë rezulton diçka tjetër, pra një mjekim i gabuar apo pakujdesi e mjekut, pa dyshim që do të merren masa ndaj mjekëve me pezullimin e tyre, pra me heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit. Ndërsa Drejtësia do të përcaktojë edhe penalizimin e mjekëve tashmë nën hetim, u shpreh më tej Tomço. Presidenti i Urdhrit të Mjekut në Korçë theksoi se mjekët janë në detyrë, nisur nga verifikimi paraprak i kartelës mjekësore që tregon se nuk ka pasur pakujdesi të mjekëve. Dyshimet paraprake nga ekspertiza janë për tromboembolit, kur nga enët e brendshme koagolat mund të shkojnë drejt trurit, sqaruan mjekët e Korçës. Edhe presidenti i përgjithshëm i Urdhrit të Mjekut, Dine Abazi, përforcoi qëndrimin e mjekut Tomço në deklarimet e tij për mediat. Nga të dhënat e kartelës mjekësore dhe nga ato provizore të ekspertizës, dyshohet se pacientja mund të ketë vdekur nga tromboemboliti. Jam njohur me rastin dhe të dhënat e ekspertizës deri më tani nuk flasin për një mjekim të pakujdesshëm apo gabim mjekësor. E sëmura ka pësuar një patologji të rëndë dhe ka marrë terapinë e nevojshme para dhe pas operacionit. Presim rezultatet përfundimtare të ekspertizës, pohoi Abazi.
Mjekët rrezikojnë 6 muaj burg
Do të jenë përfundimet e hetimeve dhe rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore ato që do të nxjerrin shkakun e vdekjes së 49-vjeçares Fatbardha Aliko. Në rast se mjekët dalin përgjegjës për vdekjen e saj, rrezikojnë 6 muaj burg deri në heqjen e së drejtës të ushtrimit të profesionit për tre vjet, për mjekim të pakujdesshëm, me pasojë vdekjen e kësaj pacienteje.
KORÇE/ GEZIM ASHIMI