E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kordoni ombelikal” i dy shteteve siamezë

Udhët pakrye, janë asosh që, marrin fill, të çojnë deri diku e të kthejnë mbrapsht. Rrugët e hapura, të nxjerrin kahdo, sepse ato i bashkohen rrjetit të ndërthurur si një sistem nervor. Autostrada jonë ndërshtetërore, tani për tani thirret me emërvendet Durrës - Kukës - Morinë, vetëm për kilometrat brenda kufijve të Shqipërisë. Por, çfarë ka përtej asaj rruge, aq shkurtuese, sa s’kish si të shkurtonte më tepër? Sipas lartësisë, caku më i epërm është Morina, siç edhe nisja shënohet poshtë, në Port. Sa kapërcen Morinën, shtrihet një territor mbi të cilin ka ndodhur përmbysja e grumbulluar në rrumbullak një shekull: që nga 17 shkurti i vitit 2008, në kufirin verior të Shqipërisë është shteti më i ri i Botës - Republika e Kosovës. Kurse në nisje të autostradës, nuk ka tokë, por shtrihet ujënaja e stërlashtë detare.

Largësia Adriatik - Kosovë, qyshkur rruga nisi të zgjatet nëpër shenjat e gjurmës më të afërt, është përfolur me gjuhën më të gjatë. Asaj i janë veshur e ngjeshur lloj-lloj cilësimesh. Njerëz emocionalë, kryesisht veriorë, viset e të cilëve i përshkon “aorta e kombit”, si dhe shqiptarë të Kosovës, e quajnë rrugë patriotike, një cilësi kjo, disi e çvlerësuar ndër popujt të vegjël, të kohëve moderne. Këndvështrimi i tyre, përkundër politikave përbashkuese, shquan ndjenjën kombëtare. Nga të tjerë, ky arsyetim vështrohet si vjetërsirë, përderisa kozmopolitizmi është nderur ndër ne sa druan mos po kthehet në mendësi shoqërore të përgjithshme. Këta, patriotët e stilit të vjetër, e dinë se cilën kanë këmbanë të parë dhe nuk ta zgjatin: “Kjo rrugë është patriotike, dhe heshtni!”, të thonë. Njerëzit racionalë sillen të jenë të shpërndarë gjithandej, dhe i ndesh kudo, si përkrahës më të qetë të domosdoshmërisë së rrugës. Ata nuk i bien përshkurt, të thonë 1 e të mos numërojnë 10 argumente, edhe pse e dinë arsyen pse kambana bie - domethënë, rruga është. Këta flasin prajshëm: “Rruga duhej ndërtuar, t’i bindemi domosdoshmërisë!”. Njerëz të tjerë janë politikanë apo asish që gjinden nëpër këmbët e politikës. Këta janë të ndarë: Mbështetës të paepur dhe Kundërshtarë të përbetuar. Mbështetësit dalin në dritë të diellit, brohorasin qeverinë si faktor pa të cilën rruga nuk do të kishte nisur, nuk do të qe ndërtuar, nuk do të mbrohej si realizim i jashtëzakonshëm. Kundërshtarët janë dysojesh, zhurmues dhe mërmëritës. Poterexhinjtë u sollën si guximtarë, por ishin edhe frikacakë. Ata nuk kanë pasur kurajë të thonë haptaz mendimin e fshehur: “Rruga të mos ndërtohet, Shqipëria vetmjaftohet këndej në punët e veta, ndërsa Kosova andej ku e la fati e në punët e saj!”. Kundërshtarët përdorën dy armë: sa qenë në pushtet, vonuan e nuk e ndërtuan rrugën, duke bërë gjasme donin, po nuk mundnin. Mosdashjen e mveshën me shtirje patriotike hipokrite të përsëritur. Kur në pushtet erdhën ata që donin dhe mundën, kundërshtarët, të përhëpur si vaji në lakra, nuk heshtën por e sulmuan rrugën si autostrada e vjedhjes. Kudo, në Kuvend, foltore, gazeta, televizione,  simbol i papërmbajtur i të gjithë sulmeve ishte Edi Rama, ndërsa simbol i të sulmuarve  u bë kryeministri Berisha. Kryetari i PS shënoi një sjellje që gati nuk ka për t’u besuar: Përveç që kurrë nuk shkeli atje, as në nisje, as gjatë ndërtimit, as në përurim, as pas përurimit, Berisha i kujtoi Ramës nga Kukësi se edhe e ka quajtur “Rruga Asgjëkundi”. Të vjen të thuash që, ky mendim zhbërës, e ka kapluar aq përgjithnjë sa, udhëtimin për në Veri, duket se ka për ta bërë ose me aeroplan ose udhës së vjetër, nëpër Qafë - Mali. Por njerëzit me gjykim të ftohtë, nuk janë të paktë, më saktë, ata janë shumica, sepse në të dy skajet e autostradës, shohin diçka të përjetshme - në nisje Detin Adriatik, një mundësi fatlume që e sjell perëndimin shkurtaz përmes ujërash dhe në krye të saj nuk është më Kukësi xhep dhe Kosova geto. Nuk duhet të hutohemi e të lajthitim: përtej asaj autostrade nuk është më Krahina serbe por Shteti i ëndërruar, nuk është vetëm Kosova por edhe Republika, nuk është popullësia e dorës së dytë por gjysma e kombit, që për fatin e madh të Kosovës dhe të Shqipërisë, mes tyre nuk është më pushtuesi njëshekullor dhe malet e pakalueshme qyshkur s’mbahen mend. Ato i bashkon liria dhe rruga bashkëkohore. Ka një autostradë ekonomike. Ka një kalim që shtetin e Kosovës e nxjerr në Adriatik. Republika e Kosovës nuk mund të bllokohet sepse ka një hyrje e dalje të sigurt. Ka një shpejtësi të re që qarkullon njerëz, mallra, kulturë. Vërtetë të ndarë, por rruga është  “Kordoni ombelikal” i dy shteteve siamezë, si damari ushqyes që lidh dy qëniet. Shqipërisë dhe Kosovës, përmes saj do t’u rrahë pulsi në përfitim të ndërsjellë, duke mbështetur secili shtet zhvillimin e vet. Kësaj turme njerëzore entuziazte do t’u bashkohen të gjithë, edhe kundërshtarët, sepse kur rruga punon, fjalët sosen. Një i majtë nga Kukësi, kur u pyet, “Pse Edi Rama e humbi shansin që s’i vjen më kurrë, nuk shkoi asnjëherë të vizitonte autostradën dhe tunelin Thirrë - Kalimash?”, dha një përgjigje jo aq për të qeshur:

-Unë në Kukës mora rrugën i kuq, në Tiranë dola blu. Edi Rama tutej se, në Tiranë do të nisej i kuq, në Kukës mund të mbërrte blu!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›