E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cili është babai i vrasësit: Edi Rama apo Dritan Dajti?

Nuk është vetëm një quiz televiziv. Leximi i deklaratave të kryetarit të ndërprerë të socialistëve si dhe të babait biologjik të Dritan Dajtit, ngjajnë si dy pika uji. Të dyja palët thonë se vrasësi ishte i pafajshëm e se vrasësit e vërtetë janë strukturat e shtetit. Gazeta bën thirrje për vëmendje, që të kuptohet më mirë se ku e kanë hallin të dyja palët...

Komentet e qëndrimet pas tragjedisë së 7 gushtit, kur i shumëkërkuari Dritan Dajti, vrau 4 oficerë police, kanë qenë të shumta e të ndryshme.
Ka pasur komente qëndrime  që kanë dënuar këtë akti të radhës kriminal të Dritan Dajtit, ashtu sikurse ka pasur edhe komente apo qëndrime që kanë shprehur dyshime për diçka që nuk eci në atë operacion police, që përfundoi me vrasjen e 4 oficerëve.
Por në morinë e këtyre komenteve e qëndrimeve, dy prej tyre, ajo e Edi Ramës kryetarit në ikje të PS-ës dhe Hasan Dajtit babait të Dritan Dajtit, ngjanin si dy pika uji midis tyre. Ngjashmëria shkonte deri atje, sa po të mos kishin në krye të tyre, emrat e deklaruesve, çdokush do të ngatërronte, ose më saktë nuk do të mund të dallonte se kush ishte babai i Dritan Dajtit, Edi Rama apo Hasan Dajti.
Vetëm pak orë pas aktit të rëndë kriminal të 7 gushtit në Plazhin e Durrësit, Edi Rama, pa thënë asnjë fjalë për autorin e krimit, shpërndante SMS telefonike në mediat e kontrolluara prej atij vetë, duke tentuar e synuar më tepër në damkosjen e oficerëve të policisë të rënë në krye të detyrës. Sipas SMS-së së Edi Ramës, 4 oficerët e vrarë të policisë, nuk ishin asgjë më shumë se “vjedhës të votës të një shteti të kalbur që punon për të mbajtur në këmbë familjen kryeministrore, që sipas Ramës sundon vendin jashtë vullnetit të lirë të shprehur në zgjedhjet e 28 qershorit”.
Duke shkuar edhe ca më larg, Edi Rama në njoftimin zyrtar të shpërndarë për mediat dhe që ende gjendet në ëeb site-n zyrtar të PS-ës, nuk harronte të godiste edhe “pushtetin e kalbur dhe të korruptuar” sipas tij.
“Kryetari i Partisë Socialiste thekson se ngjarje të tilla kaq ekstreme nxjerrin në pah dobësitë po kaq ekstreme të një pushteti të kalbur nga korrupsioni dhe të kthyer thjesht në funksion i qëllimeve e i nevojave të oborrit familjar e klanor që sundon Shqipërinë jashtë vullnetit të lirë të popullit shqiptar”, thuhet në “variantin e moderuar” të shpërndarë si informacion zyrtar nga selia e PS-ës në emër të Edi Ramës.
Jo më vonë se një ditë pas komenteve e qëndrimeve të Edi Ramës nga ekzili amerikan, Hasan Dajti, babai i Dritan Dajtit, shprehte të njëjtat komente e qëndrime për ngjarjen e rëndë, sikurse edhe kreu në ikje i PS-së.
Në intervistën për të përditshmen “Gazeta Shqiptare” (vini re, është e njëjta e përditshme që ngriti kultin e Jaho Salihit, pas vrasjes së Azem Hajdarit), Hasan Dajti “ekskluzivisht” “sfidonte shtetin”. “Policët nuk i vrau Dritani, por korrupsioni i shtetit... Dritan Dajti nuk i ka vrarë policët. Na vjen keq për policët e vrarë, por nuk është djali im ai që i vrau, por vetë shteti, korrupsioni shtetëror, paaftësia e drejtuesve të policisë”, përsëriste në të njëjtën intervistë Hasan Dajti.
Në këto dy komente, që besohet se janë bërë në mënyrë të pavarura nga njëra-tjetra, rastësia (jo) e çuditshme, konvergon në dy togfjalësha të formuluar ndryshe, por që kanë të njëjtën përmbajtje, apo të njëjtën ngarkesë emocionale.
Ndërsa Edi Rama nga SHBA-të shpërndante me SMS ku midis të tjerave spikaste togfjalëshi “pushteti i kalbur nga korrupsioni”, Hasan Dajti nga shtëpia e tij në “Brrakë” të Tiranës i përgjigjej interesimit të mediave duke artikuluar togfjalëshin “korrupsioni i shtetit (shtetëror)”.
E pra, në qoftë se për një moment do hiqnim autorët e togfjalëshave “pushteti i kalbur nga korrupsioni” dhe “korrupsioni i shtetit (shtetëror)”, a mund të bëjë ndokush dallimin në quiz-in e mundshëm se, “kë togfjalësh ka shpërndarë Edi Rama me SMS nga SHBA-të dhe kë togfjalësh ka artikuluar Hasan Dajti nga shtëpia e tij në ‘Brrakë’ të Tiranës?”.
Për ta bërë paksa  edhe më të vështirë këtë quiz, sigurisht në kushte kur supozohet se nuk dihet autorësia respektive e dy togfjalëshave, “a mund të shprehet dikush me siguri, se cili nga autorët e togfjalëshëve  ‘pushteti i kalbur nga korrupsioni’ dhe ‘korrupsioni i shtetit (shtetëror)’, është babai i Dritan Dajtit?”...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›