E Diel, 1 Nëntor 2026

Provat kundër Dajtit,hetuesit sekuestrojnë bluzat “Policia” të dy prej oficerëve të vrarë

 

Etleva Delia 

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë dje në dorëzim nga Laboratori i Kriminalistikës në Ministrinë e Brendshme, të gjitha provat shkencore, të ekzaminuara të dosjes “Dajti”.Në procesverbalin e firmosur nga ekspertët kriminalist, janë dokumentuar të gjitha provat e fiksuara në vendin e ngjarjes, ku u vranë 4 punonjës policie në operacionin për kapjen e Dritan Dajtit më 7 gusht. Bashkë me gëzhojat, predhat, armët radiot e policisë dhe bluzat e katër oficerëve të vrarë, prokurorisë i është dorëzuar edhe një skicë paraprake e ngjarjes. Skema që ka marrë në dorëzim organi i akuzës, është ndërtuar në bazë të ekzaminimit të provave të vendit të ngjarjes dhe sipas burimeve nga prokuroria i afrohet më shumë nga çdo variant tjetër asaj çfarë ndodhi realisht brenda pak sekondash në Durrës. Burime nga Laboratori i Kriminalistikës në Ministrinë e Brendshme, thanë për gazetën “Panorama”, se dje ka shkuar për ekzaminim edhe një bluzë e gjetur në vendin e ngjarjes, që mban mbishkrimin policia. Ndërkohë, mësohet se po dje Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë edhe një tjetër bluzë të tillë, me mbishkrim të policisë. Ekspertët shpjegojnë se “thembra e Akilit” në të gjithë këtë histori, janë 5 gëzhojat e pistoletës me kalibër 9 mm që janë gjetur në vendin e ngjarjes dhe që nuk i përkasin asnjërës prej pistoletave të sekuestruara. Sipas burimeve mësohet se këto gëzhoja, të cilat dyshohet se kanë rënë nga një lartësi më shumë se 5 metra, në pallatin ku strehohej Dajti, janë të një arme të pestë, që është përdorur nga personi i katërt që ndodhej me Dritan Dajtin në masakrën e 7 gushtit. Por ajo çfarë mbetet në pikëpyetje nga ekspertët e kriminalistikës, është fakti se përse rrobat që kishte veshur Dritan Dajti, ditën e ngjarjes, nuk janë dërguar ende në laborator për t’i ekzaminuara. Burime të rezervuara pranë Ministrisë së Brendshme thanë se ka dyshime të forta që Dajti mund të ketë veshur antiplumb gjatë përballjes me policinë. Ky dyshim është përforcuar pas rezultatit mjeko-ligjor, që detajon plagët që ka marrë në trup Dajti. Sipas ekspertëve ai është plagosur në 3 vende që nuk mbrohen nga antiplumbi dhe nuk ka marrë asnjë gërvishtje në pjesën që mbulohet nga jeleku mbrojtës. Dhe nëse vërtetohet që Dritan Dajti ka pasur një jelek të tillë ditën e ngjarjes, atëherë dyshimet shkojnë edhe më tej, se ai vërtetë mund të ketë pasur informacion se po ndiqej nga policia. 

Implikimi i policëve, SHKB hetime paralele
Emra zyrtarësh në celularët e Dajtit, mungojnë thirrjet hyrëse apo dalëse

TIRANE – Dritan Dajti, personi i superkërkuar i arrestuar të premten në një aksion, që përfundoi me 4 efektivë policie të vrarë, i fshinte thirrjet telefonike menjëherë pas kryerjes së tyre. Për këtë shkak Prokuroria për Krimet e Rënda i ka kërkuar zyrtarisht kompanive telefonike, brenda dhe jashtë vendit, në Greqi, të zbardhin tabulatet e telefonatave të kryera nga dhe drejt numrave të tij celularë. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë organit të akuzës. Referuar burimeve, mësohet se gjatë këqyrjes së 10 aparateve telefonike, që iu sekuestruan pas arrestimit, nuk kishte thirrje të fundit hyrëse apo dalëse, apo edhe të mëparshme. “Pasi janë këqyrur aparatet e tij telefonikë, është parë se ne to nuk rezultonin thirrje të kryera apo të marra, çka dëshmon se Dritan Dajti, i fshinte menjëherë pasi komunikonte me anë të telefonit celular”, pohuan burimet. Ndërkohë që bëhet e ditur se në listat telefonike të kontakteve të Dajtit kishte numra personash të rëndësishëm, si edhe numra që i përkisnin disa personave me funksionin e inspektorit në policinë e Durrësit dhe Tiranës. Ndërsa në vazhdën e hetimeve për ngjarjen e rëndë të regjistruar pak ditë më parë, hetimit nuk do t’i shpëtojnë as punonjësit e policisë. Bëhet e ditur se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ka krijuar një grup të përbashkët hetimor me prokurorë të Krimeve të Rënda për hetimin e çështjes së Dajtit. Po hetohen parregullsi të mundshme nga punonjësit e policisë. Sipas burimeve, hetimi përfshin ditën e aksionit për arrestimin e Dajtit. Gjithashtu, nën “sitën” e organeve të hetimit do të kalojnë edhe favorizimet, kontaktet apo “mbrojtjet” e mëparshme ndaj tij nga punonjës të policisë, si dhe tentativa të dështuara të strukturave të rendit për ta kapur më parë. Pasi u arrestua, Dajtit iu sekuestruan 10 aparate celularë dhe disa karta SIM.

Gati ndryshimi i statusit të policëve të rënë në krye të detyrës
Pagë deri në moshën 18 vjeç për fëmijët e policëve të rënë në detyrë

Kryeministri Berisha kërkoi dje ndryshimin e statusit të policëve të rënë në krye të detyrës. Duke iu referuar pikërisht rastit të fundit, kur në tentativë për të arrestuar Dritan Dajtin mbetën të vrarë katër oficerë policie, kreu i qeverisë kërkoi dje në mbledhjen e radhës së kabinetit rishikimin e statusit. Sipas tij, fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës duhet të përfitojnë pagë deri në moshën 18 vjeç, ndërsa bashkëshortet e policëve do të përfitojnë pension. “Kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë i kërkoi Ministrit të Brendshëm të nisin procedurat për ndryshimin e statusit të policëve të rënë në krye të detyrës. Kryeministri propozoi që me statusin e ri, fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës të përfitojnë pagën e plotë deri në moshën 18 vjeç dhe pas kësaj periudhe bashkëshortet të marrin pensionin e tyre”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë kreu i qeverisë kërkoi edhe shpërblimin e oficerëve të tjerë, të cilët morën pjesë në operacionin për asgjësimin e bandës kriminale të Dritan Dajtit. Deklarata e kreut të qeverisë vjen pas vendimit të marrë në mbledhjen e datës 7 gusht, kur me propozim të Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani u vendos që familjeve të katër oficerëve të rënë në krye të detyrës tu akordohet një shumë prej 5 milionë lekësh të reja. Duke folur në takimin me krerët e policisë, për ndryshimin e statusit Berisha tha se “unë i kam kërkuar ministrit të rishqyrtojë tërësisht ligjin për statusin e policit të rënë. Ne ju sigurojmë ju çdo pajisje dhe çdo mjet për luftën më efiçente kundra tij, por siguria gjithnjë ka çmimin e vet. Ajo çka do të bëjmë ne, do të jetë që familjet dhe fëmijët e policëve të rënë, përveç mungesës së njeriut të tyre më të dashur, të mund të kenë çdo gjë sikur ata të ishin në detyrën në të cilën ranë”. Sipas tij “Statusi do të rishqyrtohet me themel dhe ne shoqëria, jam i bindur se ka vetëdijen më të thellë se sakrifica juaj, se kontributi dhe ndihma juaj për sigurinë e saj dhe për sigurinë e vendit në tërësi ja vlen për çdo lloj kontributi tjetër të saj ndaj jush”.

Dade akuzon Berishën: Bashkëpunon me krimin
Partia Socialiste, akuzoi Kryeministrin Sali Berisha për bashkëpunim me kriminelët në zgjedhjet e 28 qershorit. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS, Arta Dade, reagoi menjëherë pas deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha gjatë një takimi me forcat e policisë. “Tragjedia e Durrësit është shprehja më alarmante e kalbjes së shtetit në duart e një pushteti të korruptuar e të inkriminuar. Berisha të japë llogari për bashkëpunimin me krimin gjatë zgjedhjeve dhe lirimin e dhjetëra kriminelëve nga burgjet me leje të paligjshme, për të ndihmuar qeverinë në një fushatë të pashembullt presionesh ndaj opozitës”, deklaroi Dade. Gjithashtu sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare kontestoi dhe shprehjen e bërë nga kryeministri se “do të ketë luftë tolerancë zero ndaj krimit të organizuar”. “Sali Berisha nuk mund të fshihet pas sakrificave të uniformave blu dhe thirrjet e tij për tolerancë zero janë pa asnjë kuptim, pas bashkëpunimit të tij me të dënuar të rrezikshmërisë së lartë, për ta mbajtur një pushtet që nuk buron nga vota e lirë e popullit, po nga deformimi i plotë i saj. Ne disponojmë prova dhe fakte rrëqethëse, që ja kemi bërë të ditura partnerëve ndërkombëtarë dhe do ja bëjmë të ditura edhe opinionit publik shqiptar, për bashkëpunimin konstant të këtij pushteti me krimin”, theksoi Dade. Kryetari i PS, Edi Rama, në lidhje me vrasjen e katër policëve deklaroi ditë më parë se “ngjarje të tilla kaq ekstreme nxjerrin në pah dobësitë po kaq ekstreme të një pushteti të kalbur nga korrupsioni dhe të kthyer thjesht në funksion i qëllimeve dhe i nevojave të oborrit familjar e klanor, që sundon Shqipërinë jashtë vullnetit të lirë të popullit shqiptar”. 

Berisha: Dajti nxori bandën,oficerët nuk donin ta vrisnin

Armand Bajrami

Në një takim me krerët më të lartë të uniformave blu, kreu i ekzekutivit ka zbardhur në të njëjtën kohë edhe planin për arrestimin e Dritan Dajtit, ku sipas tij, për të zbatuar ligjin forcat e rendit nuk e qëlluan atë, por tentuan ta kapnin. “E premtja që shkoi ishte një e premte e zezë, por ishte një ditë në të cilën heroizmi juaj, trimëria, vendosmëria për zero tolerancë ndaj krimit ishin më kulmore se kurrë. Por unë dua që shqiptarët ta dinë se secili prej tyre ka rënë në mënyrën më heroike. Se kryekrimineli nxori bandën nga makina dhe anëtarët e Njësisë së operacioneve të veçanta në emër të ligjit vepruan ndaj këtyre për t’i arrestuar, për t’i ndaluar, ashtu siç kërkon ligji. Ndërsa drejtuesi i tyre për veten mbajti më të vështirën, më kryesoren, ndalimin e superkriminelit, e terroristit Dritan Dajtit”, u shpreh kreu i qeverisë. Sipas tij “Unë e di se shumë shqiptarë, me mijëra shtrojnë pyetjen dhe thonë me veten e tyre me dhimbje sikur t’i kishin asgjësuar, por Fatosi, Altini, Kastrioti, Saimiri edhe në çastet e fundit të jetës së tyre u dëshmuan shtylla dhe morali i ligjit. Atyre nuk u kushtonin asgjë breshëritë mbi ata që dolën nga makina, por ligji kërkonte t’i ndalonin dhe ata kështu vepruan. Atyre nuk u kushtonin gjë breshëritë mbi makinën e superkriminelit, por ligji u kërkonte t’i kërkonin dorëzimin”. Kreu i ekzekutivit tha se nuk ka asgjë më të dhimbshme se sa fakti që në takimin e djeshëm nuk ishin të pranishëm edhe katër oficerët e rënë në krye të detyrës fundjavën e kaluar, por shtoi se do të ishte më e dhimbshme dhe poshtëruese nëse ndaj bandës së Dritan Dajtit nuk do të tregohej tolerancë zero.
Mbështetja
Në takimin e djeshëm Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar me nota maksimale punën e forcave të rendit në luftën kundër krimit të organizuar. “Shërbimi që ju i keni bërë vendit është i jashtëzakonshëm, asnjë edhe një nga sukseset e sotme të Shqipërisë nuk do të ishte i mundur pa trimërinë, vetëmohimin dhe sakrificën tuaj. Absolutisht as edhe një i vetëm. Por Shqipëria do të vërtitej, do të shkatërrohej në labirinthet e krimit. Ju jeni një institucion themelor i shtetit, por unë dua të theksoj një aspekt tuajin, të cilin e vlerësoj shumë. Nuk ka një institucion tjetër që të zhvillojë luftën kundër krimit brenda vetes siç e zhvilloni ju”, theksoi Berisha. Sipas statistikave zyrtare, në tre vitet e fundit janë ndjekur penalisht 204 punonjës të forcave të rendit. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë kërkoi rishqyrtimin e ligjit të luftës kundër krimit. Sipas tij rishikimi i këtij ligji do të bëhet me qëllim që të goditet ekonomia që ai krijon. Berisha tha se “ka pasur një amendim nga ai vendim, do t’i rikthehemi prapë ligjit. Ai që nuk i del zot pasurisë duhet të dridhet nga pasuria e tij. Ai që i del zot ta gëzojë, ta shumojë çdo ditë e më shumë. Ne nuk mendojmë dhe nuk besojmë kurrë se duke shkatërruar të pasurit ndihmojmë të varfërit, jo absolutisht. Përkundrazi ne përpiqemi t’ju krijojmë shanset që njerëzit të pasurohen në mënyrë të ndershme, por pasuria e krimit do të dërrmohet njëlloj si krimi”, vijoi më tej kreu i ekzekutivit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›