E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, burgim të përjetshëm shqiptarit që masakroi çiftin e të moshuarve



Gjykata vendosi që të dënonte me 20 vjet heqje lirie edhe bashkëpunëtorin rumun

Ndërkohë, shqiptari i tretë i akuzuar për ngjarjen e ndodhur në 2007-n ka vrarë veten

Itali

Gjykata italiane ka dënuar me burgim të përjetshëm një shqiptar, i cili akuzohet se ka vrarë një çift të moshuarish, ndërsa ishte futur në banesën e tyre për të vjedhur. Ndërkohë që u dënua me 20 vjet heqje lirie edhe bashkëpunëtori i tij një shtetas nga Rumania. Në ngjarjen e ndodhur para dy vitesh, ishte përfshirë në akuzë edhe një shtetas tjetër shqiptar, Artur Lleshi, i cili vrau veten në qeli.

Gjykata e Apelit në Venecia ka konfirmuar vendimin me burg përjetë për Naim Stafën dhe 20 vjet burg për rumunin Alin Bogdeanu, të cilët u deklaruan fajtorë për vrasjen e dy bashkëshortëve të moshuar në vitin 2007 në Trevizo të Italisë. Për ngjarjen, që në vitin 2007 tronditi gjithë komunitetin e Gorgos, ishte i akuzuar si “ekzekutor” edhe Artur Lleshi, i cili u vetëvra në burg disa muaj para se të dilte në proces. Në bazë të vendimit të gjykatës është vendosur që të ketë një shumë prej 600 mijë eurosh në dëm të të pandehurve, për sa i përket pjesës civile.

Prokuroria në akuzën e saj dyshonte edhe për një person të katërt të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, por këto dyshime u mbyllën, si pasojë e mungesës së provave të mjaftueshme për të faktuar dhe identifikuar personin e akuzuar nga prokuroria.

Ngjarja për të cilën u dënua shqiptari, ka ndodhur më 21 gusht të vitit 2007, në Vila Durante, që ndodhet në rrugën “Sant Antonio” në kufi me Mottan e Durante. Tre persona të maskuar, dy shqiptarë dhe një rumun, kanë shkuar për të grabitur në këtë vilë. Aty kanë qenë dy të moshuarit, të cilët kujdeseshin për vilën. Grabitësit u kërkuan atyre çelësat e shtëpisë, por të moshuarit refuzuan. Shtëpia për të cilën ata kujdeseshin, nuk ishte në pronësi të tyre, por refuzimi i tyre ka ngjallur tërbimin e tre grabitësve, të cilët kanë reaguar dhunshëm. Ata kanë nisur të qëllojnë çiftin, duke i masakruar ata dhe duke u marrë jetën. Sipas policisë, autorët e krimit kishin konsumuar kokainë dhe ishin në efektin e drogës gjatë kryerjes së krimit. Ata u larguan nga vendi i ngjarjes, për t’u vënë më pas në pranga nga policia italiane.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›