E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kore e Veriut, gazetaret përpara gjyqit në qershor

Phenian - Dy gazetaret e arrestuara nga autoritetet koreano-veriore do të dalin para gjyqit më 4 qershor. Arrestimi i korrespondenteve të “Current TV” u bë në muajin mars pranë kufirit me Kinën, nën akuzën për hyrje ilegale në vend dhe qëllime dashakeqe.

Gazetaret ishin duke realizuar një reportazh për refugjatët koreano-veriorë në Kinë. Lajmi për nisjen e procesit të tyre jepet nga agjencia “KCNA”. Ndërkohë, grupi i Gazetarëve pa Kufij deklaron se Euna Lee dhe Laura Ling rrezikojnë të dënohen me 10 vjet punë të detyruar në qoftë se shpallen fajtore.

Shqetësim për arrestimin e gazetarëve ka shprehur edhe presidenti amerikan Barak Obama, por Uashingtoni nuk ka marrëdhënie diplomatike me Phenianin, dhe atje përfaqësohet nga Ambasada e Suedisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›