Koreja e Veriut i jep lamtumirën Kim Jong-il
Televizioni shtetëror në Korenë e Veriut transmetoi sot direkt funeralin e Kim Jong-il, i cili u nda nga jeta javën e kaluar.
Një limuzinë e zezë me portretin gjigant të liderit të dashur korean shoqërohej nga mijëra ushtarë, ndërsa një tjetër veturë transportonte arkivolin e mbuluar me të kuqe.
Në të djathtë të veturës shfaqej Kim Jong-Un, djali i tretë i Kim Jong-il, i cili do të zëvendësojë të atin në drejtimin e Koresë së Veriut.
Në pamjet e shfaqura nga televizioni shtetëror binte në sy zona e mbuluar nga një shtresë dëbore, ndërsa vijonte dëshpërimi dhe lotët e turmave të njerëzve në të dy anët e rrugës ku kalonte kortezhi mortor.
Pasi përshkoi rrugën kryesore në Penian, arkivoli me trupin e pajetë të Kim Jong-il ndaloi në Kumsusan Memorial Palace, ku ceremonia përfundoi pas tre orësh transmetim direkt në televizion.
G.N. / Redaksia Online