Koreja e Veriut shkel sanksionet
Një raport i Kombeve të Bashkuara thotë se Koreja e Veriut vazhdon të shkelë sanksionet ndërkombëtare duke u përpjekur të transportojë armë në Birmani dhe Siri, si dhe duke importuar mallra luksoze. Raporti 74-faqesh, i përgatitur nga një grup ekspertësh të OKB-së, thotë gjithashtu se raketat e reja balistike KN-08, të treguara gjatë një parade ushtarake në muajin prill, mund të jenë të rreme. Por në raportin nuk përmendet asnjë shkelje lidhur me armë bërthamore, kimike ose biologjike, apo raketa balistike.
Raporti, iu dorëzua komisionit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që monitoron sanksionet. Agjencia e lajmeve Associated Press citon një diplomat të misionit të Koresë së Veriut në OKB të ketë hedhur poshtë përfundimet e raportit të ekspertëve. Në raport lihet mundësia që raketat balistike, të treguara në parakalimin ushtarak në Phenian në prill, të falsifikohen.