Kornelius Kardu në Tiranë
Koncerti
Mësimi i madh nga Cornelius Cardew (Kornelius Kardju) do të interpretohet sot, në orën 20.00 në Muzeun Historik Kombëtar. Projekti TRY… AGAIN… BETTER (PROVOJE… SËRISH… MË MIRË KËTË HERË) është një orvatje e parë për të hedhur dritë mbi marrëdhënien e ngushtë mes Shqipërisë dhe kësaj vepre themelore të kompozitorit. Ai i detyrohet dëshirës për ta përgatitur më në fund një premierë të homazhit të fshehtë që la trashëgim Kardju. Kjo pjesë vjen në Tiranë edhe me një ndërhyrje nga muzikologu shqiptar Vaso Tole. Kompozitori britanik, Kornelius Kardju (1936-1981), konsiderohet si një nga muzikantët dhe, ndoshta, veprimtarët politikë më të rëndësishëm të shekullit të 20. Ai bashkëpunoi me artistë të kalibrit të Karlheinz Stockhausen-it, John Cage-it dhe Brian Eno-s; dhe vepra e tij ka pasur ndikim të madh në muzikën eksperimentale deri më sot. Megjithatë, vetëm pak specialistë u kanë kushtuar vëmendje fijeve që e lidhin veprën e këtij kompozitori të madh me Shqipërinë. Që nga mesi i viteve 1970, Kardju nisi të interesohej gjithnjë e më tepër, politikisht dhe artistikisht, për shtetin shqiptar, çka edhe rezultoi në një lidhje të tij të ngushtë personale me vendin, deri në ditën e vdekjes së tij të parakohshme. Kësaj periudhe i përkasin një numër i madh kompozimesh, të cilat i janë shfaqur publikut shumë rrallë. Asnjë prej veprave të tij nuk është shfaqur ndonjëherë në Shqipëri. Vetë Kardju nuk e vizitoi kurrë Shqipërinë. Mund të thuhet, pra, se ai ia kushtoi veprën e vet një vendi që nuk ekziston më, dhe që ndoshta nuk ka ekzistuar kurrë në këtë formë.
Kornelius Kardu në Tiranë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip