E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrenti i merr jetën punonjësit të Bashkisë Tropojë, arrestohen dy persona

Një punonjës i Bashkisë së Tropojës humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën pasi ranë në kontakt me rrymën elektrike gjatë punës në rrugën e Dobravës, pranë fshatit Bujan.

Pas hetimeve për ngjarjen, policia ka ndaluar dy drejtues të Bashkisë Tropojë, të dyshuar për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.

Ngjarja ndodhi më 8 shtator 2026, rreth orës 10:00, në afërsi të fshatit Bujan.

Katër punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë po punonin për vendosjen e një shtylle ndriçimi në bazament, kur ajo ka prekur telat e energjisë elektrike.

Sipas hetimeve paraprake, punonjësit po mbanin shtyllën kur kanë humbur ekuilibrin. Shtylla ka rënë në kontakt me telat elektrikë dhe rryma është përcjellë te katër punonjësit.

Si pasojë, humbi jetën M. S., ndërsa A. D., I. D. dhe A. A. u plagosën. Tre të dëmtuarit u transportuan për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të hetimeve të drejtuara nga Prokuroria, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë kanë ndaluar N. Gj., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, si dhe G. H., 60 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i punimeve. Të dy janë banues në Bajram Curri.

Ata dyshohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Grupi i posaçëm hetimor vijon punën për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›