Sherri me Eduart Kuçin/ Nis seanca gjyqësore për Jozefin Markun dhe shoferin e tij

Ka nisur në gjykatë seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj këngëtarit Jozefin Marku dhe shoferit të tij, Kristjan Nikolli, të arrestuar pas ngjarjes së dhunës ndaj Eduard Kuçit.
Prokuroria ka kërkuar “arrest me burg” për të dy, ndërsa gjykata pritet të vendosë masën e sigurisë.
Jozefin Marku dhe shoferi i tij, Kristjan Nikolli, janë para gjykatës për masën e sigurisë pas arrestimit lidhur me dhunën ndaj Eduard Kuçit.
Në seancën e zhvilluar këtë të mërkurë, prokuroria ka kërkuar “arrest me burg” për të dy të arrestuarit. Vendimi për masën e sigurisë do të merret nga gjykata pas shqyrtimit të kërkesës së organit të akuzës dhe qëndrimit të palëve.
Ndërkohë, hetimet për ngjarjen vijojnë për të përcaktuar rrethanat dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Një tjetër element që po verifikohet nga prokuroria është përdorimi i simboleve të Policisë së Shtetit. Në kuadër të hetimit është kërkuar edhe një akt-ekspertim për të përcaktuar nëse Eduard Kuçi ka pësuar dëmtime trupore si pasojë e sulmit.
Në anën tjetër, Eduard Kuçi është shpallur në kërkim nga policia për akuzën e moskallëzimit të krimit. Sipas hetimeve, ai nuk e ka denoncuar fillimisht ngjarjen në polici dhe e ka përshkruar rastin si një konflikt të shkaktuar nga bllokimi i rrugës me automjet.
Pas verifikimeve të policisë, ngjarja është trajtuar si çështje penale dhe ndaj Kuçit është ngritur akuza për moskallëzim krimi.
Mbrojtja e Jozefin Markut pritet të mbështetet ndër të tjera edhe te fakti që personi i sulmuar nuk ka bërë kallëzim për ngjarjen.
Tashmë pritet vendimi i gjykatës për masën e sigurisë ndaj Jozefin Markut dhe Kristjan Nikollit, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.