Korridori VIII, jo projekt tangjencial, por korridor qendror i hapësirës së BE
Do të doja që në fillim të shprehja interesin maksimal që Shqipëria i kushton ndërtimit të Korridorit VIII. Së pari, për leverdisshmërinë që ky korridor ka për vendin, sikurse konkludohet edhe në studimet e ndryshme të ndërmarra për të. Së dyti, për shkak se Korridori VIII është e vetmja arterie Paneuropiane që përshkon vendin. Së treti, sepse ky korridor duke tejshkuar Shqiperinë i jep akses rreth 1.4milion banoreve ose 43.5% te popullsisë. Së katërti dhe, ndoshta më e rëndësishmja, sepse shkembimet tregtare midis Shqiperisë dhe vendeve ku kalon ky koridor zënë rreth 40% të totalit të vendit.
Për arsye të ngjashme, por edhe të tjera, Korridori VIII është shumë i rëndësishëm edhe për Italinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë.
Por, nga ana tjetër, ky Korridor VIII që lidh dy vende anëtare të BE dhe dy vende në proces integrimi konsiderohet ende si një tangenciale në periferi të Bashkimit Europian, ndaj dhe perpjekja jonë e perbashkët 2 vjet me pare, për të sensibilizuar Brukselin për sigurimin e fondeve dhe për caktimin e një koordinatori të posacëm për këtë korridor, nuk pati rezultatin e dëshiruar.
Kjo do të thotë që ne duhet të intensifikojmë përpjekjen tonë pranë Bashkimit Europian, për t’i dhënë Korridorit VIII vëmendjen që ne mendojmë se meriton, por, nga ana tjetër, do të thotë që ne të vazhdojmë përpjekjet tona individuale të koordinuara mes nesh, për ndërtimin e infrastrukturave përkatëse, në territoret tona kombëtare, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë financiare, qofshin këto të buxhetit, të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe të partneriteteve potenciale publik privat.
Kjo është në fakt ajo çka Shqipëria po bën prej disa vitesh. Ne kemi investuar të gjitha mundësitë financiare në përmirësimin e infrastrukturave të vendit, shumë prej të cilave pjesë, apo drejtpërsëdrejti të lidhura me Korridorin VIII. Aksi Durres Vlorë, që lidh portat hyrëse të Korridorit VIII në Shqipëri është pjesërisht i përfunduar dhe pjesërisht në rikonstruksion; Vlorë-Fier 42 milione Euro, Fier-Rrogozhinë, i perfunduar; Rrogozhinë – Durrës, në rikonstruksion 70 milionë Euro; Durrës - Tiranë ekzistuese, Unaza e madhe e Tiranes 22 milionë Euro; Tiranë - Elbasan 270 milionë Euro; Elbasan-kufiri me Maqedoninë.
Përveç segmenteve që përmenda të Korridorit VIII, ne kemi përfunduar apo jemi në punime e sipër për një numër rrugësh që lidhen drejtpërsëdrejti me këtë korridor: Morinë- Durrës - route nr.7, që lidh Korridoret VIII dhe X rreth 1 miliard Euro; Kufiri Maqedoni - Kufiri Greqi përfunduar dhe në rindërtim. Alternativë e dytë, Tiranë- Shkup rreth 260 milionë Euro. Boshti i Jugut që do të shkarkojë pikërisht në Korridorin VIII.
Paralelisht me rrugët, ne po investiojme në portat hyrëse të këtij korridori, portet e Durrësit dhe Vlorës. Në portin e Durrësit ku përpunohen 42 % të totalit të import eksportit ose 80% të volumit të punës së porteve shqiptare, aktualisht po investohen rreth 60 milionë Euro (Qeveria Shqiptare 15.8 milion Euro, Fonde të KE 2.2 milion Euro, ?BERZH 14 milion Euro, BEI 18 milion Euro). Përfundon në fund të vitit terminali i pasagjerëve dhe punohet ndërkohë për katër kalata të reja, që do të rrisin dukshëm kapacitetet përpunuese të portit, i vetmi që është i lidhur edhe me transportin hekurudhor.
Hyrja tjetër e Korridorit VIII është Porti i Vlores për të cilin është hartuar një masterplan me financim të Kooperacionit Italian, dhe po me financim të kooperacionit prej 15.3 mln Euro do të fillojnë punimet për përmirësimet e infrastrukturës portuale. Kapacitetet portuale shtohen edhe me dy porte private hidrokarburesh tashmë në operim, i pari një sipërmarrje italiane në Vlorë dhe i dyti një sipërmarrje shqiptare në Durrës. Shume shpejt, një tjetër sipërmarrje private, britaniko-zvicerane pritet të fillojë punimet për një një megaterminal kontenieresh në Veri të Vlorës, një investim ky prej rreth 1.2 miliarde Euro.
Pra, me rrugët dhe me portet, Shqipëria ka bërë dhe vazhdon të bëjë një progres të dukshëm. Do të vazhdojmë intensivisht të punojmë në këtë drejtim me ambicien që brenda një periudhe të shkurtër kohore e gjithë infrastruktura portuale dhe rrugore që i përket Korridorit VIII në tërritorin tonë të jetë tërësisht e modernizuar. Zhvillimi i Transportit Hekurudhor përgjatë këtij Korridori nuk ka patur të njëjtat ritme. Rrjeti ynë hekurudhor ka një gjatësi prej 420 km rrjet primar dhe sekondar i organizuar në nje sistem radial me qënder Durrësin. E vetmja lidhja ndërkombëtare është ajo me Malin e Zi në Veri dhe përgjatë Korridorit VIII mungon rreth 3 km lidhje me Maqedonine. Ne kemi të gatshëm tashmë projektin për të shkuar deri në vijën e kufirit. Ne e kemi mirëpritur angazhimin e qeverise së maqedonisë për të ecur drejt lidhjes hekurudhore me Shqipërinë, duke e konsideruar këtë si një element jetik për Korridorin VIII. Gjithsesi, deri në realizimin e këtij projekti, do të ishte me interes të shihej mundësia e ndërtimit të një terminali intermodal në kufirin shqiptaro-maqedon.
Këto janë në mënyrë të përmbledhur hapat që Shqipëria ka ndërmarrë për ndërtimin e infrastrukturës përgjatë Korridorit VIII. Paralelisht, ne kemi ndërmarrë të gjitha hapat e duhur për reduktimin maksimal të barrierave jofizike, duke liberalizuar procedurat e kalimit kufitar duke rritur sigurinë portuale dhe atë rrugore, duke shkurtuar në maksimum pritjen në kalimet kufitare, etj. Por ne do të dëshironim që këto masa të kishin karakter reciprok. Ne mendojmë se një liberalizim në fushën e transportit do t’i jepte një nxitje të re bashkëpunimit midis vendeve tona dhe do të rriste akoma më tepër mobilitetin e volumin tregtar.
Prania jone e përbashkët sot, tregon patjetër vendosmërine që ne kemi për ta cuar përpara projektin e Korridorit VIII, por nëse duam të jemi të efektshëm dhe të shkojmë përtej përpjekjeve individuale në territoret respektive, duhet që ky vullnet të jetë konstant, pa oshilacione dhe persistent. Duhet që në mënyrë të koordinuar, në katër gjuhë të ndryshme, ne të arrijmë të artikulojmë të njejtin interes. Sot, me deklaratën që do të nënshkruajmë po e bëjmë këtë, por kaq nuk do të jetë e mjaftë. Do të duhet që atë cka kemi nisur prej vitesh dhe po e konsolidojmë sot ta ndjekim në mënyrë periodike deri në realizimin e plotë të këtij projekti madhor për të katër vendet tona.”
Fjala e mbajtur nga Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve në konferencën “Korridori VIII, një urë lidhëse mes Adriatikut dhe Detit të Zi”