Erion Veliaj paguan sot për protestuesit, faturat e dritave dhe të ujit

Kush e gjen, çfarë del nga martesa e Gjarprit me Iriqin...?
Mos u lodhni në rast se nuk e dini...!
As më shumë e as më pak, del dy metra tel me gjemba.
Po nga martesa e Luanit me Shqiponjën, çfarë del...?
Mos u lodhni në rast se nuk e dini..!.
Del Erion Veliaj.
E keni harruar, nuk e mbani mend këtë emër.
Në fakt keni të drejtë, se prej disa ditësh, pothuajse saktësisht që kur një dosje në ngarkim të tij është hapur nga Prokuroria e Rrethit të Tiranës, ai ishte zhdukur për t’u rishfaqur dje bashkë me premtimin se kush shkon sot në mitingun e PS-së , ai (Erion Veliaj) merr përsipër t’ju paguajë gjithë faturat...
Nëse ju ka ardhur në majë të hundës dhe nuk ua mban më xhepi faturën e energjisë, merreni me vete dhe shkoni sot në protestën e PS-së.
Faturën ua paguan Erion Veliaj
Nëse nuk duroni që t’ju rritet çmimi i ujit dhe nuk mundeni të përballoni koston e jetesës, shkoni sot në protestën me nder të opozitarëve Spartak Ngjela, Preç Zogaj e Nard Ndoka. Mos harroni faturën e ujit.
Erion Veliaj do të jetë i gatshëm t’jua paguaj edhe atë.
Po, po. Mos e besoni po deshët, por ja që kjo është e vërtetë, sepse vetë e tha dhe e premtoi dje Erion Veliaj.
Ku do ti gjejë Erion Veliaj gjithë këto të holla...?
Oh për këtë mos keni asnjë dyshim.
Pas “kthimit me sukses në atdhe”, Erion Veliaj ka sjellë me vete edhe një thes prej 5.4 milionë euro, “fitime” të aktivitetit të tij “privat” e “të pavarur”, si ish-përfaqësues i shoqërisë civile.
Sipas matematikës së tij, të artikuluar dje, në qoftë se 1 milionë euro vlejnë sa 20 mijë pensione, sa 10 mijë bursa, sa ¼ e rimbursimit të atyre në Shkodër që sot, 5.4 milionë euro, vlejnë sa 108 mijë pensione, 54 mijë bursa, apo edhe 133 për qind të rimburismit të atyre në Shkodër.
E pra, e shihni sa i madh është thesi i Erion Veliajt.
Por, mos u ngatërroni, mos t’ju vrasë ndërgjegjja, apo mos e lejoni veten të ndjeheni keq, pse një “antimiting” i hamendësuar nga Erion Veliaj, mund të kushtojë 1 milionë euro.
E para, ky “antimiting” i mundshëm nuk ka lidhje dhe nuk do t’ju hyjë në pjesë duke futur duart në thesin 5.4 milionë eurosh të Erion Veliajt...
Dhe e dyta, ato 1 milion euro, nuk kanë për tu shpenzuar nga askush, për faktin e thjeshtë se Erion Veliaj, duke pretenduar se njerëz të administratës publikë, në orar të punës do të marrin pjesë në “antimitingun” e qeverisë, harron me dashje, se ky “antimiting”, në qoftë se do të ndodh, do të ndodh të shtunën, kur dihet katër cipërisht, që është pushim me ligj, si një nga ditët e fundjavës.
Se mos harroj.
Shuma prej 5.4 milionë euro, të cilën Erion Velijat do ta vërë në dispozicion të faturave të dritave e të ujit, të atyre që do të marrin pjesë në protestën me nder të opozitarëve Spartak Ngjela, Preç Zogaj e Nard Ndoka, ka gjasa të shtohet në të ardhmen, nga “dëmshëprblimet” të mbetura në tentativë që ai pretendon ti fitojë pas padisë penale në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës të 4 gazetave, që kanë publikuar aferat e tij të dyshimta për abuzime financiare dhe evazion fiskal.
Llogariteni vetë, sa mund të shkojë kjo shifër “dëmshpërblimi”, në qoftë se Erion Veliaj do të këshillohet të padisë penalisht në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës edhe dhjetëra apo qindra mijë përdoruesve të “Facebook”-ut, apo rrjeteve të tjera të mundshëm socialë në internet, që për çdo ditë publikojnë aferat për abuzime financiare dhe evazion fiskal, që rëndojnë pozitën e Erion Veliajt, me gjithë tentativën e tij për kundërsulm ndaj mediave.