Shqipëria konfirmon perspektivën për ndërtimin e korridorit 8-të
Mbahet konferenca “Korridori 8-të, një urë midis detit Adriatik dhe detit të Zi”
Kryeministri Sali Berisha rikonfirmon mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për ndërtimin e korridorit 8-të. Sipas kryeministrit, duke kontribuar në këtë Korridor, për Brukselin do të ishte një ndihmë e jashtëzakonshme dhe një kontribut i madh që rajoni i jep paqes, stabilitetit, zhvillimit dhe prosperitetit të tij.
“Korridori 8-të përbën një ëndërr europiane për kombet tona”, u shpreh Berisha, gjatë fjalës së tij në konferencën e organizuar në Tiranë “Korridori 8-të, një urë midis detit Adriatik dhe detit të Zi”, me pjesëmarrjen e ministrave të Transporteve të katër vendeve, ku kalon ky korridor, Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë.
Konferenca do të konkludojë me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët, ku do të shprehet vullneti i katër vendeve për t’i dhënë një shtysë të re drejt një qasjeje konkrete dhe sa më pragmatike realizimit të këtij korridori infrastrukturor shumë të rëndësishëm, nga ministrat e Transporteve të Italisë Altero Matteoli, ai i Shqipërisë Sokol Olldashi, i Bullgarisë Aleksandar Tsvetkov dhe i Maqedonisë Mile Janakieski.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u fokusua në rëndësinë jetike të këtij korridori për katër vendet, duke theksuar domosdoshmërinë e ndërmarrjes së hapave konkretë për realizimin e tij.
Kryeministri shprehu bindjen se qeveritë e katër vendeve mund ta ndërtojnë korridorin dhe se ato duhet ta konsiderojnë seriozisht ndërtimin e tij, pavarësisht nga çmimi.
Njëkohësisht, Kryeministri Berisha rikonfirmoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për këtë projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm infrastrukturor dhe bëri të ditur se Shqipëria po ndërton një segment të këtij korridori, Tiranë-Bllatë dhe së shpejti do të fillojë ndërtimi i një segmenti tjetër Tiranë-Elbasan.
“T’i bëjmë këto ndërtime të organizuara, nën ombrellën e një korridori të madh, e një ëndrre të madhe europiane, sepse sot, korridori 8-të përbën një ëndërr europiane për kombet tona”, u shpreh Kryeministri Berisha.