Parapolitika e Edi Ramës do përballet sot me braktisjen linçuese të shqiptarëve
Në kushtet kur Shqipëria ka gjithnjë e më shumë nevojë për një stabilitet të qenësishëm politik, Edi Rama dhe rrangallat e vjetra në Partinë Socialiste, janë yshtur sërish pas protestave, pavarësisht se kjo lëvizje rezultoi e fundosur dhe një dështim i vërtetë disa muaj më parë. Ylberisti Edi Rama, duke mos respektuar verdiktin e elektoratit, po tenton të përmbysë me çdo kusht vullnetin e lirë dhe demokratik të votuesve në vend. Kësisoj, Partia Socialiste ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste sot në kryeqytet, kundër qeverisë dhe autoriteteve qeveritare, në një kohë kur këto të fundit dorëzojnë Pyetësorin e BE në Bruksel dhe njëherazi marrin një mesazh pozitiv për liberalizimin e vizave.
Edi Rama, prej ditësh ka shpërndarë ‘traktet’ për këtë protestë, duke alarmuar opinionin publik, për krizë ekonomike dhe rënie të standardit të jetesës, pavarësisht se agjencitë e specializuara në këtë fushë, flasin me fakte dhe të dhëna konkrete për rritje ekonomike dhe përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së jetesës, gjatë 3 apo 4 viteve të fundit.
Por, mungesa e argumentit dhe artikulimi i cekët i kauzave politike, e detyron Edi Ramën, të tjerrë rrëkenë e gënjeshtrave, megjithëse askush nuk e beson më kalvarin e thirrjeve të tij apolitike kundër agjencive të qeverisë.
Nga opinioni publik deri te socialisti më i thjeshtë në Shqipëri, është afirmuar tashmë me fushatën denigruese të Edi Ramës, për një çështje inekzistente, siç janë pretendimet për zgjedhjet e 28 qershorit dhe më keq akoma, për hapje të kutive të votimit. Për çështjen në fjalë, Edi Rama mbajti për 3 ditë me radhë në rrugët e Tiranës dhjetëra qytetarë të këtij vendi, socialistë të vërtetë, të cilët besuan verbërisht te kauza e Edi Ramës. Por, pas kësaj kauze politike, fshiheshin interesat e ulëta politike të Edvinit dhe klanit të tij në selinë ylberiste. Asnjëherë nuk u vërtetuan ato dhe për më tepër, lakuriqi i socialistëve, gradualisht filloi të harrojë çështje e kutive, duke u fokusuar tek një tjetër mashtrim, për socialistët dhe qytetarët shqiptarë.
Këtë radhë, një gjë është e sigurtë, se Edi Rama do organizojë një tjetër protestë në vetmi, përveç disa mbështetësve që do të sjellin autobusët nga rrethet, të cilët do të shfrytëzojnë këtë të premte prag fundjave, për një udhëtim të shkurtër drejt kryeqytetit, pavarësisht se nuk garantohet udhëtimi gratis, për kthimin.