Krasniqi: Përmbyllja e mbikëqyrjes-hap historik

Në një deklaratë për media, Krasniqi theksoi se “kjo e arritur historike është kontribut i angazhimit të përhershëm të institucioneve të Kosovës në bashkëveprim me institucionet ndërkombëtare, për ndërtimin e shtetit të ligjit të së drejtës, të shtetit të qytetarëve të barabartë pa dallim race e gjinie, sipas standardeve evropiane”.
Ai tha se Kosova do të këmbëngul “që të bëjë edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese për t’ i marrë përsipër përgjegjësitë, të cilat që nga shpallja e pavarësisë e këndej i ka ushtruar Zyra Civile Ndërkombëtare”.
Kosova shtet i qytetarëve!
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se Grupi Ndërkombëtar Drejtues me vendimin për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, ia ka kthyer popullit të Kosovës atë që i takon, vendimmarrjen dhe përgjegjësinë për vetveten.
Në vijim lexoni deklaratën e plotë të presidentes Jahjaga me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës:
Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,
Para katër vitesh përfaqësuesit e zgjedhur me votën tuaj në Kuvend, duke shprehur vullnetin e pamohueshëm, shpallën Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, me një mbikëqyrje ndërkombëtare të vendeve mike, që kishin përkrahur për një dekadë përparimin tonë për krijimin e shtetit më të ri në Evropë.
Sot, këta miq, të mbledhur në Vjenë, në kuadër të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, që mbështetën secilin hap të përparimit tonë të gjithëmbarshëm politik, shoqëror dhe ekonomik, i dhanë fund periudhës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke ua besuar dhe dorëzuar tërësisht të ardhmen e Shtetit - qytetarëve të saj.
Besimi në ju, qytetarë të Kosovës dhe në Republikën tonë, është fryt i punës dhe i angazhimit të përbashkët, që vlerat demokratike i bëmë parime themelore të shtetësisë sonë, duke dëshmuar aftësi dhe përgjegjësi për shtetin tonë dhe obligimet tona ndërkombëtare.
Qytetarë të nderuar,
Para së gjithash, ju takon juve merita për realizimin e ëndrrës shekullore për shtetin tonë. Me përkushtimin dhe punën tuaj të palodhshme, posaçërisht në katër vitet e fundit, për të jetësuar në përditshmëri Pakon e Ahtisaarit, ju realizuat idealin për të ndërtuar një Kosovë të pavarur, të lirë dhe një vend ku jetohet me dinjitet.
Ne i qëndruam besnik vizionit dhe sakrificës së atyre që trasuan këtë rrugë për ne, përkundër sfidave me të cilat u përballëm si shoqëri e dalë nga lufta. Ju bëtë atë që rrallë kush e ka bërë në historinë e njerëzimit – shtritë dorën e mirëkuptimit me të vetmin qëllim, që gjeneratat që vijnë pas të kenë një jetë më të mirë. Ju e bëtë këtë në emër të Kosovës dhe të së ardhmes së saj, dhe për këtë jemi shumë krenarë.
Sot, si rezultat i këtij përkushtimi, qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike e fetare, jetojnë të lirë në çdo cep të Kosovës, duke i gëzuar të drejtat e liritë e tyre dhe duke pasur mundësi të barabarta.
Është pikërisht ky përkushtim i juaji, i Qytetarëve të Kosovës, që na jep shtytje ne si institucione të një shteti të pavarur dhe sovran, të përkushtohemi më shumë dhe të marrim përgjegjësinë për t’u udhëhequr nga parimet dhe vlerat demokratike, në rrugëtimin tonë të mëtejmë, për të konsoliduar demokracinë tonë, për të garantuar shtetin e së drejtës, për të ofruar jetë më të mirë për qytetarët tanë.
E ardhmja e Republikës së Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe parimet mbi të cilat e kemi ndërtuar shtetin tonë do të vazhdojnë të jenë udhërrëfyesi ynë.
Vendimi i sotëm i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, për ta përfunduar mbikëqyrjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke ia kthyer popullit të këtij vendi atë që i takon dhe për të cilën ka sakrifikuar, hap një horizont të ri për Republikën e Kosovës, për pozitën e saj në arenën ndërkombëtare dhe për zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë.
Ky vendim hap rrugën për një partneritet të barabartë me bashkësinë ndërkombëtare, bazuar në respektin e ndërsjellë.
Dhe së fundi, qytetarë të Kosovës, më lejoni që në emrin tuaj, në emër të institucioneve të Kosovës që përfaqësojnë vullnetin tuaj dhe emrin tim personal si Presidente e vendit, të falënderoj bashkësinë ndërkombëtare, miqtë tanë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian e partnerët tanë strategjik, për ndihmën e tyre për çlirimin e Kosovës, garantimin e paqes dhe stabilitetit ne rajon dhe besimin e shprehur sot se Kosova mund të qeverisë plotësisht veten.
Ju faleminderit!
Thaçi: Kosova hap një kapitull të ri të shtetësisë së saj
“Sot më 2 korrik 2012 Grupi Ndërkombëtar Drejtues solli një vendim historik për përfundimin e mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës. 2 korriku është një datë simbolike dhe historike për Kosovën. Kjo ditë dëshmon se sa rrugë të gjatë kemi bërë, sa shumë sakrifica dhe dhimbje kishin qytetarët e Kosovës. Qytetarët tanë çdo herë kanë pasur besim të fuqishëm, shpresë dhe optimizëm për Kosovën e pavarur dhe sot pas 22 vitesh ne jemi shtet sovran dhe demokratik. Sot Kosova po hap një kapitull të ri të shtetësisë së saj – theksoi Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën për media, pas takimit të Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën, mbajtur në Vjenë të Austrisë”, ka thwnw kryeministri i Kosovws Hashim Thaçi në konferencën për shtyp të organizuar në Vjenë të Austrisë.
Në vazhdim po e japim të plotë deklaratën e Kryeministrit Thaçi në konferencën për media në Vjenë, pas takimit të Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën
“Të nderuar përfaqësues të mediave,
Sot më 2 korrik 2012 Grupi Ndërkombëtar Drejtues solli një vendim historik për përfundimin e mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
2 korriku është një datë simbolike dhe historike për Kosovën. Kjo ditë dëshmon se sa rrugë të gjatë kemi bërë, sa shumë sakrifica dhe dhimbje kishin qytetarët e Kosovës.
Qytetarët tanë çdo herë kanë pasur besim të fuqishëm, shpresë dhe optimizëm për Kosovën e pavarur dhe sot pas 22 vitesh ne jemi shtet sovran dhe demokratik.
Sot Kosova po hap një kapitull të ri të shtetësisë së saj.
Ne sapo përfunduam takimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën, në të cilin bashkërisht diskutuam për të gjitha çështjet që ndërlidhen me zhvillimet në Kosovë, duke përfshirë sfidat dhe sukseset e arritura deri më tani.
Dua të shpreh edhe njëherë konsideratën time të lartë për punën e madhe që ka bërë Zyra Ndërkombëtare Civile në zbatimin e Planit Gjithëpërfshirës.
Konsideroj se bashkërisht të gjithë, kemi bërë një punë të shkëlqyeshme e cila e ka bërë Kosovën shtet të respektuar në rajon dhe më gjerë.
Unë e di se kemi ende punë për të bërë.
Ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë.
Ne duhet të rrisim shkallën e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.
Ne duhet të realizojmë potencialin tonë të plotë të decentralizimit dhe të sigurojmë qytetarët tanë se qeveria e tyre është përgjegjëse për nevojat e tyre.
Për më tepër, unë dua të ritheksoj zotimin tonë për ta rritur përfshirjën tonë në raport me të gjitha komunitetet në Kosovë, e në mënyrë të veçantë me serbët që jetojnë në veri të vendit, të cilët e meritojnë t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që janë të përcaktuara me Planin e Ahtisarit dhe me ligjet e Kushtetutën e Kosovës.
Dua që të jeni të sigurt që qeveria të cilën udhëheq unë, mbetet thellësisht e përkushtuar në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit.
Në këtë aspekt, ne jemi të zotuar që të gjejmë bazën adekuate ligjore për të mundësuar vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it, duke përfshirë edhe kompetencat ekzekutive të tij deri në qershor të vitit 2014.
Agjenda qeveritare do të vazhdojë me një sërë objektivash tjera gjatë këtij viti, ku do të krijohen të gjitha mundësitë ligjore dhe një ambient i favorshëm për jetë të qetë, me të drejta të plota, bazuar në Planin Gjithëpërfshirës, Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë po shoqërohet edhe me ndryshimet e domosdoshme në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Unë jam i bindur që Qeveria dhe parlamenti i Kosovës me përkushtim po e bëjnë punën e tyre.
Në fund më lejoni që në emër të popullit tim, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të shpreh mirënjohjen dhe konsideratën time të lartë për mbështetjen dhe për besimin që ju Grupi Ndërkombëtar Drejtues keni pasur në institucionet e Kosovës.
Presim me padurim të jemi nikoqir juaji në takimin përmbyllës të Grupit Ndërkombëtar Drejtues në Prishtinë, në muajin shtator, që të festojmë fundin e pavarësisë së mbikëqyrur, si dhe fillimin e një epoke të re të partneritetit të vërtetë me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë në fund të deklaratës kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.
Kosova përmbyll pavarësinë e mbikëqyrur
Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka marrë vendim që të përmbyllet pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës, ndërsa ka mbetur që deri në shtator të kryhen disa obligime, siç është përfshirja e disa ligjeve në këtë proces, ka thënë shefi i ICO-se Pieter Feith, gjatë një video konference të mbajtur në Vjenë, pas takimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, ku i pranishëm ishte edhe kryeminsitri Hashim Thaçi.
Feith gjithashtu ka thënë që veriu i Mitrovicës nuk do të ndahet dhe nuk do të jetë një konflikt i ngrirë, por do të integrohet.
Ndërkohë kryeministri Thaçi ka mirëpritur këtë vendim, duke shtuar se Kosova deri në shtator do t’i kryejë të gjitha obligimet.
GND i jep fund mbikëqyrjes së pavarësisë
Në takimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues(GND) në Vjenë është vendosur për dhënien fund të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
"Konsideroj se bashkërisht të gjithë, kemi bërë një punë të shkëlqyeshme, e cila e ka bërë Kosovën në shtet të respektuar në rajon dhe me gjerë. Unë e di se ende kemi punë për të bërë. Ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë. Ne duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit ekonomik. Ne duhet të realizojmë potencialin tonë të plotë të decentralizimit dhe të sigurojmë qytetarët tanë se qeveria e tyre është përgjegjëse për nevojat e tyre. Për më tepër, ne duhet të forcojmë lidhjet ndërmjet grupeve etnike në Kosovë dhe të bëjmë tolerancën dhe respektin për kulturën e njëri tjetrit pjesë përbërëse të jetës së shtetit tonë. Në bashkëpunim me Zyrën Ndërkombëtare Civile ne kemi krijuar strukturat për përballjen me këto sfida dhe unë zotohem se jemi të përkushtuar që t’a bëjmë Kosovën një rrëfim suksesi dhe shembull i zhvillimit, paqes dhe stabilitetit", theksoi kryeministri Hashim Thaçi në takimin me Grupin Ndërkombëtar Drejtues (GND).
Sot vendimi për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës
Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën takohet sot në Vjenë, derisa përfaqësues të shteteve të këtij grupi, kanë bërë me dije, se në këtë takim do të merret vendimi për t’i dhënë fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Në takim merr pjesë dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjithashtu, në javën e kaluar ka thënë se pret një vlerësim pozitiv për arritjet në Kosovë si dhe dhënien e datës për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Institucionet kosovare presin që kjo të ndodhë në muajin shtator.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Austrisë, Mihael Shpindeleger, ka thënë se Kosova së shpejti do të jetë shtet me pavarësi të plotë, pasi të hënën në Vjenë komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të vendosë për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës”.
“Kjo është shenjë e qartë e mirëbesimit që është vendosur në Kosovë”, tha ai dhe shtoi se Kosova “tash është mjaft e pjekur për të qëndruar në këmbet e veta dhe për të marrë përgjegjësi të plotë për të ardhmen e të gjithë shtetasve të saj”.
Ky hap formalisht do të ndërmerret nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar, i cili e ka mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës dhe përbëhet nga 23 vende evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia.
Megjithatë, Bashkimi Evropian e vazhdon praninë e tij në Kosovë me misionin EULEX për polici dhe sundim të ligjit, ndërsa janë të pranishme edhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it, që udhëhiqet nga NATO-ja.