E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, Berisha: Kjo qeverisja e parë që hiqen imunitetet

BRUKSEL-Pas punimeve të Konferencës; “Ballkani Drejt Integrimit Evropian”, organizuar nga Grupi i PPE-ve në Parlamentin Evropian, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të mediave shqiptare që ndoqën punimet e kësaj konference, në Bruksel.

I pyetur rreth korrupsionit në vend dhe sesi e vlerëson kreu i qeverisë shqiptare faktin se gjatë dy mandateve në qeveri, nuk ka pasur asnjë ministër a zv/ ministër të akuzuar apo të dënuar për korrupsion, Berisha tha: ‘E rëndësishme është që kjo është qeverisja e parë që hiqen imunitetet. Nuk gjen dot një vend tjetër në të cilin, siç ndodhi te ne vetëm dy ditë më parë, të jenë vendosur para ligjit 7-8 zyrtarë së bashku. Kjo është qeverisja e parë në të cilën ka një proces reformash serioze për luftën kundër korrupsionit dhe ka një politikë penale të qëndrueshme për luftën kundër tij’.

Më tej kryeministri theksoi se shifrat flasin se në vedn po luftohet rreptësisht korrupsioni.
“Lidhur me pyetjen tuaj mund të them dy gjëra; drejtësia shqiptare, pavarësisht nga vakumet që ka, në rast se i referohemi 2 momenteve, ato flasin më shumë se të gjitha akuzat e tjera. Së pari, në vitin 2005, popullata e burgjeve në Shqipëri ishte tërësisht 1800 persona, sot është rreth 5 mijë. Mos harroni se janë këta gjykatës që japin çdo ditë drejtësi. Së dyti, 60 për qind e proceseve në të cilat qeveria paditet, fitohen nga pala tjetër. Në qoftë se 60 për qind e këtyre vendimeve jepen jo në favor të qeverisë, kjo do të thotë se kjo drejtësi funksionon në mënyrë të pavarur. Por lidhur me faktin se a duhet të kemi apo jo “koka turku”, unë mund të them se ne duhet të kemi shtet ligjor të fortë”.

I pyetur nëse këtë vit Shqipëria do ta marrë statusin e kandidatit, kryeministri theksoi se qeveria po bën gjithcka për të përmbushur detyrimet e mbetura.
“ Bindja ime është se qeveria do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet e saj. Deri tani, unë mund të them se opozita po përmbush detyrimet e veta. Ky është vlerësimi im. Qeveria po punon intensivisht për të përmbushur detyrimet dhe po i përmbush ato. Natyrisht, ky është një proces që po përsoset në mënyrë të vazhdueshme”.

Kryeministri bëri të ditur se ka shfrytëzuar rastin në këtë konferencë për të ftuar pjesmarrësit në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, që sipas tij, përbën dhe ngjarjen më madhore këtë vit për Ballkanin.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›