E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, zgjedhjet e përgjithshme do zhvillohen më 6 maj

ATHINE - Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias nënshkroi sot pasdite dekretin për shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme për në datën 6 maj 2012. Papulias e nënshkroi dekretin në përfundim të takimit me kryeministrin Papadhimos. 

Ky i fundit, pas daljes nga pallati presidencial nuk bëri deklarata, por tha se do të japë një mesazh televiziv në orën 20:00, mesazh që do të përqëndrohet në nevojën e vazhdimit të reformave nga çdo qeveri që do të dalë prej zgjedhjeve. 

Më herët, Papadhimos e kishte komunikuar datën e zgjedhjeve në mbledhjen e qeverisë. Ai iu bëri thirrje ministrave që do të jenë kandidatë për zgjedhje, që edhe gjatë fushatës të përmbushin detyrat e tyre si anëtarë të qeverisë. Pas marrëveshjes me liderët e dy partive që marrin pjesë në qeveri, PASOK dhe Demokracia e Re, është vendosur që që ministri i brendshëm, ai i rendit dhe i drejtësisë të qëndrojnë në detyrë.

Sipas sondazheve parazgjedhore, asnjë parti nuk siguron shumicën e duhur për të krijuar qeverinë, dhe kreu i Demokracisë së Re, që kryeson në këto sondazhe, Antonis Samaras ka deklaruar disa herë, se nuk do të bëjë koalicion me PASOK. “Nëse nuk do të ketë maxhorancë qeveritare, do të imponohet përsëritja e zgjedhjeve, sepse vendi nuk mund të mbetet pa qeverisje”, ka theksuar Samaras.

Zgjedhjet e 6 majit janë shumë të rëndësishme për vendin, sepse çdo qeveri që do të dalë prej tyre duhet të vazhdojë programin e rreptë të reformave, por nga ana tjetër një angazhim i tillë, nuk iu siguron partive mbështetje të gjerë popullore. Për këto arsye, është rritur mjaft simpatia për partitë e vogla, madje dhe ekstremiste, të cilat kundërshtojnë me forcë masat financiare dhe pritet që ato të zenë vende në parlamentin e ardhshëm.

Në këto kushte, kreditorët e Greqisë nuk e fshehin shqetësimin për atë që do të ndodhë pas zgjedhjeve në vend dhe për rrezikun e ngadalësimit të reformave. Sipas tyre, Greqia nuk i ka shpëtuar ende rrezikut të falimentimit dhe partitë politike duhet t’i thonë popullit të vërtetën. 

Qeveria e koalicionit, drejtuar nga bankieri Lukas Papadhimos, u krijua në nëntor të vitit të kaluar dhe ishte e ngarkuar të negocionte marrëveshjet për reduktimin e borxhit dhe dhënien e një kredie të re Greqisë, me vlerë 130 miliardë euro, marrëveshje që u finalizuan me sukses, duke i hapur rrugën mbajtjes së zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›