E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto takon ministrin italian të mbrojtjes, Di Paola

TIRANË - Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti sot në takim Ministrin italian të Mbrojtjes, Admiralin Giampaolo Di Paola.

Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, duke nënvizuar rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe me Italinë dhe nivelin e shkëlqyer të tyre, Haxhinasto vlerësoi këtë vizitë si një mundësi efektive dhe konkrete për të zhvilluar më tej dialogun në fushën e mbrojtjes, i cili është i një rëndësie strategjike, në funksion të vënies në jetë të Deklaratës së Partneritetit Strategjik.

Ai vlerësoi dhe falënderoi Ministrin italian për bashkëpunimin dhe ndihmën e ofruar nga Italia në fushën e mbrojtjes, për riorganizimin dhe ristrukturimin e Forcave tona të Armatosura, si dhe bashkëpunimin në kuadër të misioneve ndërkombëtare, ku që prej vitit 2007, kontigjenti shqiptar në Afganistan, zhvillon misionin e tij nën komandën italiane.

Haxhinasto theksoi se partneriteti strategjik duhet të përfshijë angazhimin e përbashkët në realizimin e projekteve strategjike të energjisë si TAP, të cilat kanë impakte të drejtpërdrejta për sigurinë energjetike dhe sigurinë në përgjithësi.

Ministri Di Paola konstatoi me kënaqësi progresin e bërë nga Shqipëria në këto vitet e fundit dhe shprehu besimin se së shpejti do të përmbushen prioritetet e Komisionit Evropian. Ai, gjithashtu, siguroi se Italia do ta mbështesë Shqipërinë në këtë drejtim.

Ai vlerësoi lart kontributin e forcave shqiptare në Herat, të cilat veprojnë nën komandën italiane. Falë aftësive dhe angazhimit të tyre këto trupa përmbushin detyra të rëndësishme, përfshirë edhe vetë sigurinë e komandës dhe trupave italiane.

Në përfundim, Ministri Di Paola vuri në dukje se Italia vlerëson politikën shqiptare në rajon dhe arritjet e angazhimit të saj.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›